Inspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, ka bërë të ditur se deri më tani një nga masat më të respektuara ka qenë varrimi i të vdekurve me COVID-19, sipas rekomandimit të institucioneve.
Varrimi thotë se bëhet pa prezencën e njerëzve të shumtë, por vetëm në praninë e familjarëve të ngushtë.
Ai theksoi se janë disa procedura paraprake që duhet kryer sa i përket varrimit të tyre dhe se të gjitha këto varrime kryhen nën përcjellje të Policisë dhe inspektoratit sanitar.
“Me përgjegjësinë më të madhe mund të them se një nga procedurat më të respektuara dhe që meriton lëvdatë është çështja e të vdekurve ku futet në një qese speciale e pastaj ajo futet në arkivol mbyllet hermetikisht dhe ka persona të trajnuar shëndetësorë që merren me këtë punë. E më pas përmes informatave në institucionet përgjegjëse në inspektoratin sanitar dhe Policinë, delegohen informatat që me kohë të caktuar dhe në kritere të përcaktuara të varrimit, inspektorët dhe policia e Kosovës bën mbikëqyrjen e procedurave të varrimit”.
Ai ka sqaruar se procedura për varrosjen e personave me COVID-19 është e bazuar në Ligjin për sëmundje ngjitëse dhe çdo person që vdes nga infeksioni, pas vdekjes mbyllet hermetikisht në arkivol dhe bartet deri në varreza.
“Pra duhet të kemi parasysh se nuk dërgohet kufoma në shtëpi apo në ndonjë hapësirë, por drejt me përcjellje të Policisë nga institucioni shëndetësor e deri te varrezat ku prezenca e inspektorit sanitar është deri të përfundon procedura e varrimit, ku pastaj bëhet dezinfektimi i vendit i automjetit ku është bërë transporti dhe si i tillë raportohet për mënyrën e varrimit që është kryer me procedurë të rregullt”.
Tërshnjaku ka theksuar se deri më tani nuk kanë lejuar të kryhen asnjë nga ritualet fetare dhe se të gjitha varrimet janë kryer në një mënyrë precize.
“Deri më tani në asnjë moment nuk kemi lejuar që të kryhen ndonjë nga ritualet fetare, pra ndaj në këtë drejtim i jam mirënjohës që kemi respektuar masën sanitare në mënyrë shumë precize. Ka pasur raste që ka pasur vdekje shumë të dhimbshme ne nuk kemi lejuar që kufoma të shkojë në shtëpi, por vetëm me procedura të përcaktuar me rregullore”.
Imami kosovar, Labinot Maliqi thotë se është shumë e vështirë që varrimi të bëhet në këtë mënyrë e pa rituale fetare siç ka qenë traditë për të gjithë.
“Kjo është shumë e vështirë sepse e shton dhimbjen edhe më shumë, pasi e dimë që dhimbja kërkon të ndahet me të tjerët e sidomos kur duhesh ta përballosh vetëm apo me një rreth të ngushtë familjar. Natyrisht se kjo në njëfarë forme e bën më të papërballueshme dhimbjen dhe mungesën e familjarit, por përderisa këto janë masat që janë marrë ndërkombëtarisht edhe nga mjekësia ligjore dhe nga instancat kompetente normalisht që duhet zbatuar pavarësisht se është diçka e hidhur”, tha Maliqi.
Ai shton se kjo bëhet për një qëllim të mirë, në mënyrë që shpërndarja e infektimit të mos bëhet te të tjerët sado që e shton dhimbjen dhe emocionin.
“…por kjo është bërë për një qëllim të mirë në mënyrë që të mos bëhet shpërndarja e virusit tek ata që nuk janë të infektuar. Kjo e shton dhimbjen, emocionin për shkak se nuk kemi mundësi që të varroset ashtu me rituale siç jemi mësuar dhe si ka qenë traditë tek populli ynë”, theksoi tutje ai për EO.
Momentalisht, në Kosovë me përgatitje e viktimave me COVID-19 për varrim dhe transportin e tyre deri në varreza, merret kompania private “Ngushëllimi”.