Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë që inspektori në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), Lavdim Rexhepi, e ka lidhur me prokurorin, Rafet Halimi, më 14 gusht të vitit 2019.
Rexhepi akuzohet se kishte marrë ryshfet nga e dëmtuara Lejla Krasniqi, në shuma prej 80 euro dhe dy herë nga 300 euro, duke i premtuar asaj korrigjimin e deklaratave tatimore në biznesin e saj, pasi ajo kishte pasur obligime tatimore në ATK rreth 6,000.00 euro.
Në seancën e së enjtes, Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe inspektori Rexhepi, kanë paraqitur marrëveshjen për pranimin e fajësisë.
Në këtë marrëveshje, për të akuzuarin Rexhepi është rekomanduar dënim më gjobë në shumën prej 3000 deri në 3500 euro dhe dënim me burgim prej katër deri në gjashtë muaj, me mundësi të zëvendësimit në dënim me gjobë.
Prokurori Rafet Halimi në seancën dëgjimore të mbajtur të enjten, i propozoi gjykatës që të pranojë këtë marrëveshje dhe të akuzuarit Rexhepi t’i shqiptohet dënimi i rekomanduar sipas marrëveshjes.
Mbrojtësi i të akuzuarit Rexhepi, avokati Ramë Dreshaj tha se ishte konsultuar mjaftueshëm me të mbrojturin e tij mbi pranimin e fajësisë, prandaj i njëjti kërkoi nga gjykata që të shqiptojë minimumin e dënimit me gjobë të paraparë në këtë marrëveshje, si dhe të minimumin e dënimi me burgim.
Po ashtu, ai kërkoi që dënimi me burgim t’i zëvendësohet në dënim me gjobë, dhe të dyja dënimet të mund të paguhet me këste.
Për këto, është pajtuar edhe i akuzuari Rexhepi, i cili ka deklaruar se kishte pasur kohë të mjaftueshme të konsultohet me mbrojtësin e tij dhe se këtë marrëveshje me prokurorinë e kishte bërë me vullnetin e tij të lirë.
Në fund, pasi që e ka aprovuar marrëveshjen, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala, ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 30 gusht 2019, në ora 15:00.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën ndaj Lavdim Rexhepit e ka përpiluar më 14 gusht 2019, për shkak të veprës penale “marrje e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, Rexhepi në cilësinë e inspektorit tatimor në ATK, kishte marrë dy herë ryshfet nga e dëmtuara Lejla Krasniqi, në shuma prej 80 euro dhe 300 euro, duke i premtuar asaj korrigjimin e deklaratave tatimore në biznesin e saj, pasi e njëjta kishte pasur obligime tatimore në ATK rreth 6,000.00 euro.
Në aktakuzë thuhet se më 24 nëntor 2018, në parkingun që gjendet në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Prishtinë, gjatë zbatimit të masës së fshehtë, i akuzuari Rexhepi kishte marrë nga e dëmtuara edhe shumë prej 300 euro.
Mirëpo, sipas aktakuzës, pas marrjes së kësaj shume ai ishte ndaluar nga Policia e Kosovës.