image Inspektorati i punës gjen shkelje në vendimet e aeroportit "Adem Jashari" për t'i larguar nga puna 51 punëtorë

Kosovë

Kërkesë/ Inspektorati i punës gjen shkelje në vendimet e aeroportit “Adem Jashari” për t’i larguar nga puna 51 punëtorë

news image

Inspektorati i Punës ka kërkuar anulimin e vendimeve të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës për mosvazhdim të kontratave për 51 punëtorë. Në vendimin e tij, ka konstatuar një varg shkeljesh nga kompania “Limak”.

Aty thuhet se kompania nuk ka arritur që të dëshmojë se largimi i punëtorëve kishte të bënte me probleme financiare, pasi e njëjta nuk ka ofruar dëshmi për probleme të tilla.

“Bazuar në dokumentacionin e ofruar nga punëdhënësi për inspektim, rezulton se performanca e punonjësve, të cilëve iu është dhënë njoftimi për mosvazhdim të marrëdhënies së punës për vitet 2017-2018 rezulton të jetë mbi mesataren e arritjeve”, thuhet në vendimin e marrë më 2 prill.

Inspektorati ka gjetur edhe shkelje procedurale.

Sipas tij, “LIMAK” kishte autorizuar Basri Zukën që t’i nënshkruante vendimet për mosvazhdimin e kontratave, por i njëjti në përshkrimin e detyrës ka përgjegjësi vetëm për rekrutim, e jo për nënshkrim të vendimeve për shkëputjen e kontratave.

Në mesin e atyre që nuk iu është vazhduar kontrata janë edhe 6 punonjës që kanë përvojë mbi 10-vjeçare, që sipas Inspektoratit është shkelje e Ligjit të Punës.

Punonjësit që nuk iu është vazhduar kontrata, janë anëtarë të Sindikatës së punëtorëve të Aeroportit dhe kanë qenë pjesë e grevës së organizuar më 19,20,21 gusht të 2019-s, ku është kërkuar trajtim i barabartë dhe kushte më të mira të punës.

Zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara, ka thënë se nuk kanë marrë ende shkresë zyrtare nga ana e Inspektoratit.

“Nuk kemi pranuar asnjë shkresë zyrtare nga Inspektorati i punës”, ka thënë Gara.

Ndërkohë, vendimi i Inspektoratit obligon ANP-në që brenda 8 ditësh t’i rishqyrtojë njoftimet dhe vendimet për mosvazhdim të marrëdhënies së punës për punonjësit e larguar gjatë periudhës janar-mars të këtij viti. /KTV