Pas paralajmërimeve për zhvillim të mundshëm të stuhive në Kosovë, Inspektorati Qendror i Punës ka dalë me apel për të gjithë punëdhënësit që të marrin masa shtesë për mbrojtjen e punëtorëve.
Inspektorati ka bërë thirrje të veçantë për subjektet që operojnë në sektorë me rrezikshmëri të lartë, duke kërkuar që të kontrollohen pajisjet dhe mjetet e punës, me qëllim parandalimin e aksidenteve në vendin e punës.
Sipas njoftimit, kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet sektorit të ndërtimtarisë, ku punëdhënësit duhet të sigurohen për gjendjen teknike dhe qëndrueshmërinë e vinçave dhe pajisjeve të tjera ngritëse në vendpunishte.
Ky reagim vjen pas njoftimeve të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, i cili ka paralajmëruar se gjatë pasdites dhe mbrëmjes mund të ketë reshje lokale shiu, shkarkesa rrufesh, erëra të fuqishme dhe në zona të izoluara edhe breshër.
Inspektorati ka kërkuar nga punëdhënësit që të tregojnë kujdes të shtuar dhe të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për garantimin e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!