Naftëtarët po kundërshtojnë udhëzimin administrativ për pastrimin e rezervuarëve të naftës dhe kalibrimin e agregatëve.
Po ashtu, sipas naftëtarëve, ky udhëzim është në kundërshtim edhe me të gjitha dispozitat ligjore që obligon tregtarët e naftës që të pastrojnë rezervuarët në çdo tri vite.
Në anën tjetër, drejtues të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se qëllimi i këtij udhëzimi është për ofrimin e derivateve më cilësore për konsumatorët.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë sot se kjo shoqatë nuk është kundër pastrimit të rezervarëve, por kërkojnë të zbatohen standardet edhe në Kosovë, sikur në BE dhe në vendet e regjionit.
“Shoqata nuk është kundër, ne kërkojmë që të zbatohen standardet të Bashkimit Evropian dhe të regjionit. Në rastin konkret në Slloveni në çdo 15 vjet bëhet pastrimi dhe Serbia e ka në çdo 10 vjet. Ndërsa, në Kosovë është aktivuar një Udhëzim administrativ, i cili na dëmton dhe është e rëndë që në çdo tri vjet, që nuk është askund në botë. Për çmimin e kalibrimit e kemi kundërshtuar dhe do ta kundërshtojmë prapë. Ne nuk jemi kundër kalibrimit, por vetëm kundër çmimit, që është enorm”, theksoi Berjani.
Naftëtari Agim Behluli ka thënë se gjendja në këtë sektor është e rëndë, sidomos nga pandemia.
Behluli tha se nuk janë naftëtarët fitimprurës ashtu siç po duket nga MTI-ja. Prandaj, ai ka kërkuar nga institucionet e shtetit t’i lënë rehat në ushtrimin e veprimtarisë së tyre në këtë kohë pandemie.
“Po më duket se është krijuar një atmosferë vetëm bizneseve të naftës me i pengua dhe me i ngarkua. Por, besoni që nuk është ashtu fitimprurës si duket, kështu që na lëreni rehat të paktën derisa të kalon pandemia”, tha Behluli.
Edhe Tahir Zogaj naftëtarë, ka thënë se janë kundër këtij udhëzimi, teksa shtoi se në asnjë vend nuk është kjo praktikë për pastrimin e rezervarëve në çdo tri vjet.
“Ne jemi kundër këtij udhëzimi, sepse në asnjë vend nuk parashihet pastrimi i rezervarëve në çdo tri vjet, minimum është prej 10 deri 20 vjet. Këtë udhëzim e kemi kundërshtuar edhe vitin e kaluar”, theksoi ai.
Në anën tjetër, këshilltari i ministrit të MTI, Vesel Krasniqit, Albert Maxhuni, theksoi se prej ditës së parë ministri Krasniqi ka pasur në prioritet konsumatorin.
Maxhuni tha se ky vendim ka ardhur vetëm për të mbrojtur konsumatorin.
“Qëllimi i vetëm që është marrë ky vendim është t’i ofrohet një cilësi sa më e mirë konsumatorit, mirëpo gjithsesi shqetësimin tuaj do ta adresoj në ministri”, theksoi Maxhuni.
Ai po ashtu tha sa janë duke punuar që sa më parë të vihet në funksion ligji për derivatet./Gazeta Sinjali/