Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, për 4 vite qeverisje ka përmbushur vetëm 28 premtime nga 100 sa pati premtuar.
Komuna e Prishtinës për gati 4 vite mandat nga 100 premtime, poltsisht ka përmbushur vetëm 28, gjysmë të përmbushura janë 15 premtime, ndërsa kanë filluar së realizuari 34 premtime, kurse nuk është ndërmarr asnjë veprim konkret në kuadër të realizimit të 23 premtimeve.
Kjo bëhet e ditur në raportin “100 premtimet e Shpend Ahmetit”, të publikuar nga Organizata Iniciativa për Progres (INPO).
Qëndrim Arifi nga INPO njofton se nga 100 premtimet e dhëna gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, Shpend Ahmeti ka arritur të realizojë vetëm 28 prej tyre.
Ai prezantoi të gjeturat e secilit premtim veç e veç, ku edhe tregoi për rezultatet e secilit premtim.
Diell Haxhimusa nga INPO tregoi se në cilat fusha ka realizuar më shumë premtime kryetari Shpend Ahmeti, si dhe ato me më pak realizime.
“Fusha me më së paku premtimet të realizuara është ‘Prona jonë e barabartë në planifikim’, ku nga 14 premtime, plotësisht nuk është realizuar asnjë. Fusha me më së shumti realizim është fusha ‘Ndërmarrjet Publike në shërbim të qytetarëve’, ku nga 10 premtime të Shpend Ahmetit, 8 prej tyre janë realizuar plotësisht. Më shumë se gjysma e premtimeve, përkatësisht 57 përqind e premtimeve janë në fazën fillestare të implementimit, përkatësisht nuk kanë filluar are të realizohen”, tha Haxhimusa.
Raporti “100 premtimet e Shpend Ahmetit” rekomandon të parin e Prishtinës që të intensifikojë angazhimet në kuadër të realizimit të premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, ku si pasojë edhe është fituar mandati 4 vjeçar.
Gjithashtu, raporti rekomandon që kryetari Shpend Ahmeti të shpërndajë përgjegjësitë për secilin drejtor komunal, si dhe të shfrytëzojë të gjithë mekanizmat që premtimet e filluara apo ato gjysmë të përfunduara në të ardhmen të përmbushen plotësisht./GazetaSinjali/