image Influencerja amerikane vritet nga bashkëshorti vetëm dy javë pasi e akuzoi për pedofili

Botë

Influencerja amerikane vritet nga bashkëshorti vetëm dy javë pasi e akuzoi për pedofili

news image

Influencuerja amerikane Sara Gilson, 43 vjeçe, është vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti, me të cilin ishte në proces divorci, Jeremiah “Shawn” Duffey, vetëm dy javë pasi e kishte akuzuar publikisht në TikTok se ishte pedofil.

Më 11 korrik, Gilson publikoi një video në TikTok, duke ndjekur trendin viral ku përdoruesit imagjinojnë se po intervistohen nga Netflix për një dokumentar mbi jetën e tyre. Në video ajo shkruante:

“Po përgatitem për ditën kur Netflix do të publikojë një dokumentar për bashkëshortin tim, ish-bashkëshortin tim të ardhshëm, për të cilin sapo zbulova se është pedofil”.

Në përshkrimin e videos ajo shtonte: “Do të doja të isha duke bërë shaka”, shkruajnë mediat amerikane.

Vetëm 12 ditë më vonë, në mbrëmjen e 23 korrikut, policia u thirr në banesën e Gilson në Owasso, Oklahoma, pasi një fëmijë që jetonte në shtëpi telefonoi numrin e emergjencës 911. Kur mbërritën në vendngjarje, autoritetet gjetën Sara Gilson dhe Jeremiah Duffey të pajetë, të dy me plagë nga armë zjarri.

Sipas hetimeve paraprake, Duffey qëlloi për vdekje Gilson dhe më pas vrau veten.

Dokumentet gjyqësore tregojnë se Gilson kishte kërkuar disa herë mbrojtje ligjore ndaj bashkëshortit të saj. Dy urdhra mbrojtjeje të paraqitur në vitin 2021 u rrëzuan pasi ajo nuk u paraqit në seancat gjyqësore.

Më 10 qershor të këtij viti, Gilson kërkoi një urdhër emergjent mbrojtjeje, duke pretenduar se Duffey kishte armë, kishte kërcënuar se do të vriste veten dhe ishte larguar nga shtëpia. Gjykata urdhëroi largimin e tij nga banesa dhe ndalimin e afrimit më shumë se 100 metra pranë saj. Më 23 qershor, urdhri u zgjat deri më 24 gusht.

Po atë ditë, një tjetër urdhër mbrojtjeje u kërkua nga nëna e një vajze 15-vjeçare, e cila pretendonte se Duffey kishte kryer veprime të papërshtatshme ndaj së miturës.

Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, Duffey, i cili ishte trajner i ekipit të basketbollit ku luante vajza, dyshohet se e kishte puthur dhe prekur në mënyrë të papërshtatshme, ndërsa një trajner tjetër e kishte kapur në flagrancë. Nëna e vajzës pretendoi gjithashtu se ai i kishte dërguar mesazhe, e kishte ftuar në dhomën e hotelit gjatë një turneu dhe i kishte ofruar para për ta mbajtur ngjarjen të fshehtë.

Policia vijon hetimet për rastin, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende detaje të tjera zyrtare mbi ngjarjen.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/