Kryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Fitim Havolli, ka njoftuar se kanë vendosur që të supsendojnë grevën e filluar pesë ditë më parë, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky vendim, sipas Havollit, po bëhet pas një takimi të mbajtur me drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqin, si dhe anesteziologun, Lulzim Emini.
“Sot, pas një takimi të gjatë me drejtorin e SHSKUK-së, dr.Valbon Krasniqin dhe anesteziologu, dr. Lulzim Eminin, të cilët i falënderojmë shumë për vizitën dhe përkrahjen që sot ju dha grevistëve tash e 5 ditë, sekretarit, infermierit, Enlirat Durakut, në lidhje me vendimin e tij për grevë urie.”
“Ashtu siç e kemi përshëndetur dhe vlerësuar vendimin e Enliratit për grevën në lidhje me kërkesat tona legjitime, po ashtu edhe sot, duke i marrë parasysh gjendjen e rënduar të spitaleve tona me Covid dhe nevojën për infermierë të zotë dhe punëtorë, siç është Enlirat Duraku, u pajtuam bashkërisht me kërkesën tonë të përbashkët për ta suspenduar grevën deri në takimin dhe një situatë të afërt në takim me ministrin e Shëndetësisë për arritjen e kërkesave legjitime dhe shumëkërkuese nga Sindikata e Infermierëve me muaj të tërë”, ka shkruar Havolli në Facebook.
Kryetari i Sindikatës së Infermierëve ka njoftuar se ky është vendim një pezullim ose suspendim i grevës, por jo një ndërprerje, pasi që ai vlerëson se kërkesat e infermierëve janë edhe në të mirën e institucioneve shëndetësore.
Havolli ka thënë se shpreson se do të arrihet një marrëveshje për kërkesat e tyre në takimin që do të mbajnë të mërkurën me ministrin Armend Zemaj.
“Mbesim me shpresë që në takimin i cili do të mbahet të mërkurën, do ta arrijmë marrëveshjen për normalizimin e kërkesave tona dhe po ashtu pajtueshmërinë e vetë grevistit për ta suspenduar, por jo për ta ndërprerë grevën, sepse kërkesat tona konsiderojmë se janë edhe në të mirën e institucioneve tona shëndetësore”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/