image Infermierët paralajmërojnë masa radikale nëse qeveria nuk ua plotëson kërkesat

Shëndetësi

Infermierët paralajmërojnë masa radikale nëse qeveria nuk ua plotëson kërkesat

news image

Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka paralajmëruar masa radikale në rast se Qeveria e Kosovës nuk i merr parasysh kërkesat e tyre, transmeton Gazeta Sinjali.

Kryetari i kësaj sindikate, Fitim Havolli, ka thënë se kërkesat e tyre të kahmotshme i kanë prezantuar edhe sot para Odës së Infermierëve, shoqatave të infermierëve profesionalë dhe të gjitha shoqatat profesionale brenda QKUK-së.

“Ne sot i kemi prezantuar kërkesat të kamotshme të këtij komuniteti, siç është koeficienti për ta dërguar për votim në Kuvend, pagesat e ndërrimeve të natës, kujdestaritë, orët shtesë dhe pagesat e vikendit. Besoj se brenda javës do të marrim një vendim se çfarë veprimesh sindikale do të bëjmë tash e tutje për realizimin definitiv të këtyre kërkesave”, tha Havolli.

Ai ka thënë se në vazhdimësi kanë kërkuar nga Qeveria të bisedojnë dhe t’i konkretizojnë këto kërkesa, por që sipas tyre kjo e fundit nuk ka ndërmarr asgjë.

Krahas kësaj, Havolli bëri të ditur se në një kohë shumë të afërt do të bëhet e ditur se çfarë veprime sindikale do të ndërmarrin, tash e tutje për realizimin e kërkesave të tyre.

“Vendimi i sindikatës i fundit ka qenë për protesta të përshkallëzuara, një e kemi mbajtur në QKUK, si alarm që institucionet të kthejnë kokën dhe tash ne në pajtim me të gjitha shoqatat e infermierëve, në një kohë të afërt do të marrim vendim se çfarë veprime sindikale do të bëjmë tash e tutje për realizimin e kërkesave”, ka thënë Havolli.

Ai gjithashtu ka theksuar se, kur të marrin vendime sindikale, komunikimi social me qeverinë do të përfundojë./Gazeta Sinjali/