Shoqata Sindikale e Punëtorëve Shëndetësore të QKUK-së, ka njoftuar se e kanë pezulluar protestën që kishin paralajmëruar që do e mbanin sot në orën 12:00, përcjell Sinjali.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare ne Facebook, pas takimit të kryetares së Federatave dhe Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Tevide Imeri me Ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifin, ai është zotuar se do e rishqyrtoj urdhëresën përmes të cilës thuhet se po diskriminohen infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë të shëndetësisë.
“Në këtë takim janë dakorduar që të krijohet shpejtë një Grup Punues për rishqyrtim dhe hartim, qoftë edhe të urdhëresave të cilat në realitet do kishin efekt pozitiv në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve, mirëpo duke mos i diskriminuar dhe ngarkuar edhe më tepër infermierët në QKUK, të cilët edhe ashtu janë skajshmërisht të mbingarkuar”, thuhet në komunikatën për media.
Kryesia e Sindikatës ka ftuar të gjithë anëtarësinë, infermierët, mamitë dhe profesionistët e tjerë që deri në shqyrtimin e këtyre urdhëresave të mos i zbatojnë katër pikat e urdhëresave të cilat i konsiderojnë dominuese, denigruese dhe që kanë elemente të përdorimit të standardeve të dyfishta në raport me komunitetet tona.
“Në rast se nuk do anulohet këto urdhëresa, Kryesia dhe Këshilli Drejtues në takimin e javës së ardhshme do angazhohet që të ndërmarrim veprime radikale sindikale për barazi dhe në kundërshtim të tendencave që komunitetet tona të shpërfaqen si të parëndësishme. Nuk do ketë paqe sociale në QKUK deri sa të kuptohet që komunitetet tona nuk janë qytetar të dorës së dytë, ndërsa po ashtu nuk do mund të përjashtohen nga proceset dhe t’u cenohen të drejtat e tyre.” thuhet tutje në njoftim.
Punëtorët e QKUK-së po kërkojnë që të anulohen urdhëresat si në vijim:
Urdhëresën që infermieri të shkruhet në hyrje/dalje nga dhoma e pacientit, duke e konsideruar si urdhëresë diskriminuese dhe përdorim të standardit të dyfishtë pasi komunitetet tjera nuk i nënshtrohen kësaj urdhërese.
Urdhëresa që infermierët të bëjnë evidentimin e frekuentimit të palëve civile nëpër klinika të QKUK- së duke e konsideruar urdhëresë e cila nuk bënë pjesë në përshkrimin e detyrave dhe përgjegjësive të infermierit.
Urdhëresa e cila thotë që infermierët e turneve duhet të marrin obligimin e sigurimit me barëra gjatë vikendeve, punë për të cilën infermierët e turneve nuk e kanë obligim dhe as nuk kompensohen për këtë detyrë.
Urdhëresën e cila e obligon infermierin që ta ftoj mjekun në rast nevoje, pasi sikurse infermieri, po ashtu edhe mjeku janë subjekte që i nënshtrohen obligimeve kontraktuale, ndërsa secila klinike tashmë ka mjekët dhe infermierët e tyre kujdestar, ndërsa si të tillë as infermieri e as mjeku nuk do duhej të ketë nevojë për ftesë, pasi do duhej që të ishin në vendet e tyre të punës duke mos pasur nevojë për ftesa.