Kukullat e veshura me uniformë policie janë “përforcimi” më i ri i organeve të sigurisë në qytetin indian të Bangalore-s. Me këto kukulla po synohet zvogëlimi i shkeljeve në trafik.
Këtyre kukullave nuk u mungon asnjë pjesë e uniformës policore, përfshirë kapelën, këmishën e bardhë, jelekun me ngjyrë vezulluese dhe mbishkrim të policisë. Në këtë mënyrë, policia indiane po shpreson se do t’i nxisë vozitësit që t’i respektojnë më shumë rregullat e komunikacionit.
Disa prej kukullave madje janë të pajisura me syze dielli dhe maska të fytyrës për mbrojtje nga ajri i ndotur në mënyrë që të duken si policë të vërtetë.
Me tetë milionë vetura që qarkullojnë në qytet, policia indiane po ankohet se nuk ka pjesëtarë të mjaftueshëm për t’i kontrolluar të gjitha kryqëzimet, prandaj ka vendosur t’i përdor kukullat.
“Ideja nuk është që t’i frikësojmë njerëzit, por ta rrisim shkallën e respektimit të rregullave. I kemi 44 mijë kryqëzime në qytet, por vetëm në 450 prej tyre ka semaforë”, tha komisioni i policisë, Bhaskar Rao.
Ndryshe, në Bangalore jetojnë rreth 15 milionë njerëz dhe dy persona vdesin mesatarisht çdo ditë nga aksidentet në trafik, shkruan “Daily Times”./Gazeta Sinjali/