image Incidenti në Magdeburg rrezikon të thellojë ndarjet në Gjermani

Evropë

Incidenti në Magdeburg rrezikon të thellojë ndarjet në Gjermani

news image

Autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të kuptuar motivin që e nxiti një psikiatër 50-vjeçar me origjinë nga Arabia Saudite, të përplasë automjetin e tij me turmën e njerëzve në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg. Gjatë incidentit u vranë pesë persona dhe u plagosën 200 të tjerë.

I dyshuari në të kaluarën ka shprehur pikëpamje anti-islame dhe ka mbështetur partinë e ekstremit të djathtë Alternativa për Gjermaninë, AfD. Megjithatë AfD-ja, e njohur sidomos për qëndrimet kundër migracionit, ka paralajmëruar mbajtjen e një tubimi në Magdeburg duke bërë thirrje për deportimin e të huajve.

Drejtuesit e partisë ‘Alternativa për Gjermaninë’ (AfD) do të mbajnë një tubim në Magdeburg të hënën në mbrëmje pas incidentit të javës së kaluar. Pesë persona u vranë dhe 200 të tjerë u plagosën me 20 dhjetor, kur një person përplasi makinën e tij me turmën në tregun e Krishtlindjeve. I dyshuari, që u arrestua në vendin e ngjarjes, është me origjinë nga Arabia Saudite dhe më parë ka shprehur mbështetje për AfD-në.

Megjithatë, kryetarja e kësaj partie Alice Weidel shkroi në rrjetin social X se “diskutimi rreth ligjeve të reja të sigurisë nuk duhet të largojë vëmendjen nga fakti se incidenti në Magdeburg nuk do të ndodhte pa emigracionin e pakontrolluar. Shteti duhet të mbrojë qytetarët përmes një politike që vendos masa kufizuese ndaj migracionit dhe bën dëbime të vazhdueshme!”

Disa qytetarë të Magdebrgut thonë se incidenti nuk duhet të shfrytëzohet për përfitime politike.

“AfD nuk ka çfarë kërkon këtu. Politika duhet të qëndrojë plotësisht jashtë kësaj, sepse kanë bërë shumë gabime. Pa të, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë”, thotë Sabrina Gille, banore e Magdeburgut.

“Secili e trajton këtë situatë në mënyrën e vet, disa janë të pikëlluar, të tjerët janë të zemëruar. Secili ka të drejtë të shprehë mendimin e tij dhe kjo nuk duhet të përdoret për asnjë qëllim politik. Por, e di që çdo parti politike disi e bën këtë”, thotë banori tjetër Andreas Bohs.

Banorët e qytetit po vazhdojnë të vendosin lule dhe ndezin qirinj pranë vendit ku ndodhi sulmi. Një shënim me dorë që u vendos pranë buqetave me lule thotë: “Të mos lejojmë pikëllimin dhe zemërimin të kthehet në urrejtje. Mendimet tona janë me viktimat dhe familjet e tyre, jo me autorët e krimit, zjarrvënësit dhe politikanët që përfitojnë nga situata të tilla”.

Incidenti pritet të thellojë ndarjet në Gjermani para zgjedhjeve parlamentare të muajit shkurt. AfD-ja, e cila njihet për qëndrimet kundër të huajve, sipas sondazheve pritet të dal partia e dytë, pas Kristian Demokratëve (CDU).

“Asgjë nuk do të ndryshojë. E tillë është situata. Është për të ardhur keq që nuk marrin masa dhe të thonë, ai është kriminel, duhet të largohet, duhet të dëbohet. Ata nuk duhet të thonë ‘le të shohim.’ Jo. Të gjithë të largohen nga këtu. Ata që nuk kanë leje duhet të largohen nga vendi. Kaq e thjeshtë është”, thotë banori tjetër Mikro Eimes.

Gjermania ishte paralajmëruar nga Arabia Saudite për qëndrimet ekstreme të personit që dyshohet se përplasi makinën e tij me turmën në tregun e Krishtlindjeve në Magdeburg. Megjithatë, rregullat e mbrojtjes së të dhënave personale në Gjermani janë ndër më të rreptat në Bashkimin Evropian. Kjo, sipas policisë federale, i ka penguar ata të përdorin mbikëqyrjen biometrike për të ndjekur të dyshuarin./VOA/

/GazetaSinjali/