image Incidenti në ‘Bon Vivant’: 20 persona demoluan lokalin pasi s’morën rezervim, menaxheri përfundon në spital

Siguri

Incidenti në ‘Bon Vivant’: 20 persona demoluan lokalin pasi s’morën rezervim, menaxheri përfundon në spital

news image

Foto ilustruese


Shumë bare, kafene dhe restorante në kryeqytet praktikojnë përzgjedhjen e klientelës së tyre në bazë të kritereve të caktuara, gjë e cila ka ngjallur plot herë reagime në publik. Një mënyrë ‘e sjellshme’ e refuzimit të klientëve që s’ua mbushin syrin, është rezervimi i tavolinës brenda lokalit, raporton Gazeta Sinjali.

Kështu vepron edhe lokali i njohur në kryeqytet ‘Bon Vivant’, i cili në shumë raste ka qenë ‘nikoqir’ i Policisë së Kosovës për shkak të incidenteve që kanë ndodhur aty. E mbrëmjen e shkuar disa persona ende të paidentifikuar dyshohet se kanë demoluar hapësirën e lokalit në shenjë pakënaqësie të moslejimit për t’u futur brenda pa rezervim.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për rreth 20 persona, të cilët dyshohet se kanë dëmtuar tavolinat e lokalit dhe kanë sulmuar menaxherin.

Bazuar në dëshminë e këtij të fundit, ka qenë e pamundur që të dyshuarve t’u ofrohet një vend për të qëndruar, sepse sipas tij, të gjitha tavolinat në lokal kanë qenë të rezervuara. 32-vjeçari si pasojë e lëndimeve të marra ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që Policia në kuadër të veprimeve hetimore ka intervistuar edhe dy punonjës tjerë të ‘Bon Vivant’.

Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Dëmtimi apo asgjësimi i pasurisë’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.

Ndërkohë Sinjali ka provuar që të kontaktojë me menaxherin e lokalit, Fitim Polloshka, mirëpo ai nuk është përgjigjur në telefonatat e redaksisë.

Kujtojmë që në vitin 2014 në këtë lokal kishte ndodhur një ngjarje e rëndë, ku Masar Gërdovci, tashmë i dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, kishte privuar nga jeta rojën e ‘Bon Vivant’, Rrahman Uka.

/GazetaSinjali/