Një ngjarje sa e rrezikshme aq edhe e pazakontë ka ndodhur përpara një dyqani në qytezën Scottsbluff të Nebraskës, ku një qen është bërë shkak për shpërthimin e një arme gjahu dhe plagosjen e një personi.
Policia lokale u njoftua fillimisht për një të shtënë me shotgun pranë një dyqani lagjeje. Kur mbërritën në vendngjarje, efektivët gjetën një makinë tip kamionçinë me njërën nga dyert e dëmtuara nga shpërthimi, si dhe një grua kalimtare e cila ishte goditur në krah nga një prej saçmeve të armës.
Hetimet e menjëhershme zbuluan se pas kësaj ngjarjeje nuk fshihej asnjë krim, por një pakujdesi dhe një lëvizje e pakontrolluar e një qeni. Në momentin që automjeti kishte ndaluar përpara dyqanit, qeni që ndodhej brenda kishte lëvizur nga njëra anë e sediljes së pasme në tjetrën. Gjatë kësaj lëvizjeje, kafsha ka prekur këmbëzën e armës së gjahu, e cila fatkeqësisht kishte një predhë të futur në fole gati për qitje.
Arma është shkrepur, duke shpërthyer përmes derës së makinës dhe duke kapur lehtë një grua që po kalonte aty pranë. Ajo u transportua menjëherë në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, pasi plagët e marra nuk ishin serioze.
Pas këtij incidenti, pritet që pronari i mjetit të përballet me ligjin, pasi në shtetin e Nebraskës është rreptësisht e ndaluar me ligj të udhëtosh me një armë gjahu të mbushur brenda në automjet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!