Një përleshje mes dy të rinjve, e nisur në rrugët e Prishtinës, ka vijuar edhe brenda ambienteve të Qendrës Emergjente të QKUK-së, ku ata ishin dërguar për trajtim mjekësor, për të cilën ka raportuar Gazeta Sinjali.
Ngjarja ka nxitur reagimin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës (ShSKUK), i cili në një komunikatë për media thekson se “mjekët, stafi mjekësor dhe ai mbështetës nuk janë të rrezikuar në asnjë moment gjatë ushtrimit të detyrës së tyre në QKUK”.
Sipas deklaratës, në Klinikën Emergjente janë të pranishëm 24 orë punonjës të sigurimit dhe policë, duke garantuar sigurinë e stafit dhe pacientëve.
“Në rastet kur ka pasur situata që kërkonin ndërhyrje, sigurimi dhe policia kanë reaguar menjëherë dhe me profesionalizëm – siç e pranon edhe vetë mjeku në deklaratën për të cilën po reagojmë.”
ShSKUK kundërshton deklaratat që pretendojnë të kundërtën, duke i cilësuar si të pabazuara dhe të dëmshme. “Prandaj, konsiderojmë se deklarata të tilla janë të pamatura dhe të pabazuara, dhe nuk ndihmojnë në ndërtimin e një klime të mirëbesimit dhe bashkëpunimit në sistemin shëndetësor”.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!