image Incident tjetër i djegies së veturave në veri, u vihet zjarri dy automjeteve të Komunës së Zveçanit

Siguri

Incident tjetër i djegies së veturave në veri, u vihet zjarri dy automjeteve të Komunës së Zveçanit

news image

Dy vetura zyrtare të Komunës së Zveçanit dyshohet se janë djegur qëllimshëm nga persona deri tani të panjohur mbrëmë pas mesnate, raporton Gazeta Sinjali.

Fatmirësisht, përveç dëmeve materiale, nuk ka persona të lënduar.

Lajmin e ka konfirmuar Veton Elshani nga Policia Rajonale në Veri.

“Pas mesnatës, rreth orës 01:40 janë djegur dy vetura të komunës, njëra prej të cilave Toyota, të cilat kanë qenë në parkingun e komunës.

Përveç dëmeve materiale nuk ka të lënduar, ndërsa policia ka dalë menjëherë në vendngjarje dhe është duke zhvilluar hetimet”, ka thënë Elshani.

Në veri të Kosovës kanë ndodhur disa incidente të ngjashme këtë vit.

Në fillim të qershorit janë djegur dy makina në vendin e njëjtë ku janë djegur edhe kamionët e fundit në Mitrovicë të Veriut, ndërsa në fillim të prillit, një pjesëtari të policisë kufitare të Kosovës i është djegur, po ashtu, vetura.

Kurse në fillim të muajit mars është djegur edhe një restorant në pronësi të Natasha Tomaniqit, ish-zëvendëskryetare e Komunës së Zveçanit. Ajo dhe autoritetet lokale kanë thënë se dyshohet se zjarri është shkaktuar qëllimisht.

Në fund të marsit, ndërkaq, është djegur një objekt në pronësi të Nenad Radosavleviqit, ish-drejtor i Administratës për Sport, Rini dhe Kulturë në Komunën e Leposaviqit.

Gjatë vitit 2023 dhe në fund të vitit 2022, kur ka qenë në proces riregjistrimi i automjeteve me targa të Kosovës në veri, janë djegur disa vetura me targa RKS (Republika e Kosovës) në atë zonë.

/GazetaSinjali/