Politika i ka krejt fajet! Të paktën kështu besojnë familjarët e personave që llogariten si të zhdukur që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Fjala është për mungesën e përparimit në gjetjen e trupave të pajetë të 1,617 personave.
Bajram Qerkini, nga Qendra Burimore për Persona të Zhdukur, e cila qendër ka brenda vetes familjarët e personave të pagjetur të të gjitha komuniteteve, është i bindur se pengesë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është mungesa e vullnetit politik për zbardhjen e krimeve të luftës.
“Atje në Bruksel është faji kryesor. Edhe pse po themi se [çështja e të pagjeturve] nuk është politike, ajo është politike. Politikanët e kanë stagnuar këtë proces, që të mos zbardhet fati i të pagjeturve, për shkak se duhet të zbardhen edhe krimet e luftës”, ka thënë Qerkini.
Negovan Mavriq nga Shoqata e Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur në Kosovë, ka thënë se komunikimi ndërmjet grupeve punuese të Beogradit dhe Prishtinës aktualisht është pothuajse tërësisht i bllokuar dhe se ky është tash problemi më i madh.
Kosova dhe Serbia kanë komisione të veçanta dhe grupe punese, në mandatin e së cilave është bashkëpunimi për të ndihmuar zbardhja e fatit të të pagjeturve, duke shkëmbyer informacione për varrezat e mundshme masive. Ka më shumë se një vit që prej takimit të fundit të këtyre mekanizmave.
Fati i të pagjeturve ndërmjet përplasjeve politike
Së fundmi, këtij ngërçi po i kontribuojnë edhe mospajtimet e palës së Kosovës që në krye të Komisionit të Serbisë për të zhdukurit të jetë Veljko Odalloviq, të cilin Prishtina e akuzon për pjesëmarrje në strukturat serbe, përgjegjëse për përndjekjen e shqiptarëve nga Kosova gjatë viteve ‘90.
Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, thotë se “në komunikimin e të dy palëve, nuk sheh asnjë kuptim”, dhe se është e rëndësishme që ndaj çështjes së personave të pagjetur të ketë qasje nga një këndvështrim i veçantë, gjegjësisht, që të ketë informacione të besueshme për varrezat masive.
Ajo, po ashtu, thekson se në gjithë këtë proces është i domosdoshëm vullneti politik i vendit, në të cilin ndodhen varrezat masive.
Shkas për përplasje përmes deklaratash ndërmjet Komisioneve qeveritare për personat e zhdukur, të Kosovës dhe Serbisë, së fundmi ishte ndërprerja më 23 maj e gërmimeve në Minierën në Shtaval, në Sijenicë të Serbisë, e cila kishte nisur më 10 maj, por që pas 13 ditësh kishte rezultuar pa gjetje të vend-varrezës masive me mbetjet mortore të viktimave të luftës.
Pala e Kosovës, më 25 maj, ka akuzuar palën e Serbisë për mungesë të bashkëpunimit dhe “mosdhënie të informacioneve shtesë”, të cilat Komisioni nga Kosova i kishte kërkuar për të vazhduar gërmimet në Shtaval.
Asokohe, Martina Fava nga Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP) tha se bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është “element kyç” për avancimin e procesit të identifikimit të varrezave masive dhe zgjidhjes së çështjes së personave të pagjetur, shkruan REL.
“Ne jemi të gjithë këtu për shkak të familjeve të të zhdukurve dhe kjo punë është shumë e rëndësishme, sepse koha po ikën dhe familjeve duhet t’u jepet një përgjigje”, tha ajo.
Përplasje për gërmimet në Shtaval
REL i është drejtuar Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, me pyetjen se cila është arsyeja e fajësimit të palës së Serbisë.
Andin Hoti, kryesues i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur në Kosovë, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se pala e Kosovës në vazhdimësi ka shprehur kundërshtimin ndaj tendencës së palës serbe për të shmangur përgjegjësinë lidhur me fatin e personave të pagjetur përmes informatave të pasakta.
“Kjo është arsyeja pse kemi insistuar vazhdimisht për qasje në dokumente të kohës së luftës që mund të ndihmojnë në zbardhjen e fatit të më të dashurve tanë. Jo vetëm në këtë rast (Shtaval), por në vazhdimësi, ne kemi thënë që qasja destruktive e Serbisë lidhet me politizimin e vazhdueshëm të kësaj plage dhe informatat jo të besueshme, të cilat kanë për pasojë zvarritjen e procesit dhe mungesën e rezultateve”, ka thënë Hoti.