Agjencia e Statistikave të Kosovës publikoi të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin qershor 2022.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 30.5% në muajin qershor 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 418.1 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 320.4 milion Eurosh në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 15.1%.
Eksporti i mallrave në muajin qershor 2022 kishte vlerën 74.6 milion Euro, ndërsa importi 492.8 milion Euro, që është një rritje prej 2.4% për eksport dhe 25.3% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 24.3% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.6% të eksporteve e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 14.7% të eksporteve e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.6% të eksporteve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 7.5% të eksporteve e përbëjnë produktet minerale; 4.2% të eksporteve e përbëjnë artikujt prej guri, allçie, prodhimet e qeramikës dhe qelqit, etj.
Në njoftimin e ASK-së thuhet se sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.4 të importeve e përbëjnë produktet minerale; 12.8% të importeve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.4% të importeve e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.3% të importeve e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 7.5% të importeve e përbëjnë mjetet e transportit; 7.4% të importeve e përbëjnë plastika, goma dhe artikuj prej tyre; 6.8% të importeve e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 24.0 milion Euro, ose rreth 32.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 2.4%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (9.0%), Itali (5.3), Holanda (3.6%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 192.4 milion Euro, ose 39.0% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 13.0%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (10.7%), Greqia (5.7%), Italia (4.3%), etj.
Në muajin qershor 2022, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-s arritën në 28.2 milion Euro, ose 37.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej (-2.8%). Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (13.4%), Shqipëria (12.0%), Serbia (5.8%) dhe Mali i Zi (5.0%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin qershor 2022, arritën në 92.8 milion Euro, ose 18.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 17.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.8%), Maqedonia e Veriut (5.3%) dhe Shqipëria (5.0%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 22.3 milion Euro, ose 29.9%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport, vlen të përmenden: SHBA (13.8%), dhe Zvicra (7.7%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 207.4 milion Euro, ose 42.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.1%) dhe Kina (9.7%).