image Ilir Meta ia ndërron emrin LSI-së, nga sot do të quhet Partia e Lirisë

Shqipëri

Ilir Meta ia ndërron emrin LSI-së, nga sot do të quhet Partia e Lirisë

news image

LSI tash e tutje do të quhet Partia e Lirisë.

Kjo pas ri-kthimit të ish presidentit Ilir Meta në krye të partisë që deri sot e udhëhoqi bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.

Në konventën e sotme të kësaj force politike ish-presidenti u rikthye te partia që ai vetë themeloi, ku dominuan deklaratat me nota nacionaliste.

Në fjalën e tij ish-presidenti nuk kurseu nostalgjinë për LSI-në, por tha se tashmë ka vetëm një rrugë dhe është ajo e referendumit që është garanci për shqiptarët.

“Nuk jam këtu për asgjë tjetër veç se për t’ju kërkuar që t’u tregojmë të gjithëve se ne jemi një popull me dinjitet, jemi popull evropian. Kjo rrugë është referendumi. Do të jetë shpata e Demokleut mbi të gjithë uzurpatorët e pushtetit e demokracisë mbi oligarkët e pangopur, do të jetë garancia se sovraniteti nuk i përket popullit vetëm në letër se ata që e prekin do ta lenë fatin e zi. Ju keni nostalgji për LSI por jo më shumë se unë edhe mund të keni. Ne e krijuam LSI-në për të shpëtuar procesin e integrimit europian që bllokoi Fatos Nano për hajdutëritë e tij në dogana e tatime dhe ishte rrotacion që u realizua falë LSI që Shqipëria të nënshkruante marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Tani ka vetëm një rrugë, referendumi vet m referendumi është garancia që Shqipëria do të jetë e shqiptarëve, kemi parë si shiten e blihen politikanët po nuk ka forcë në botë të blejë shqiptarët. Mos harroni atdheun”.

Gjatë fjalës së tij Meta shpalli ‘non grata’ kleptokracinë, Rilindjen por edhe atë pjesë që mbështet Bashën.

“Luftën duhet ta bësh deri në fund ja vlen edhe të vdesësh, sot me shqiptarët e ndershëm dhe popullim e 2 marsit te shpallim ‘non grata’ kleptokracinë, Rilindjen Mavi dhe atë pjese të rilindjes blu të 17 majit”, tha Meta.

Pas fjalës së Metës, Endrit Brahimllari njoftoi partia do të drejtohet nga Komiteti Organizator, ku drejtues i tij do të jetë Ilir Meta dhe zëvendës Kryetar Agim Nesho.

“Komiteti Organizator, ngarkohet nga Konventa Kombëtare, për drejtimin e partisë dhe përfaqësimit të saj në të gjitha nivelet. Komiteti Organizator do të drejtojë veprimtarinë e partisë për përgatitjen e Konventës Kombëtare, që do të mbahet brenda dy muajve. Drejtuesi i Komitetit Organizator të jetë zoti Ilir Meta dhe zëvendës Kryetar të jetë zoti Agim Nesho. Këto ndryshime hyjnë në fuqi menjëherë”.

/GazetaSinjali/