image Ilaçi 1000 vjeçar me qepë e hudhra mund të shërbejë si antibiotik

Receta

Ilaçi 1000 vjeçar me qepë e hudhra mund të shërbejë si antibiotik

news image

Në vitet që do të pasojnë mund të mos jemi në gjendje të kurojmë shumë nga infeksionet që deri tani i kemi vënë nën kontroll, pasi bakteret arrijnë të mposhtin dhe të fitojnë imunitet ndaj ilaçeve tona më të sofistikuara.

Sipas studiuesve të fushës së mjekësisë, deri në vitin 2050, numri i personave që do të humbin jetën çdo vit si pasojë e mosfunksionimit të ilaçeve mund të arrijë deri në 10 milionë. Për këtë arsye, kërkuesit janë duke punuar për alternativa të tjera krahas antibiotikëve.

Një skuadër shkencëtarësh në Mbretërinë e Bashkuar ka gjetur pak shpresë në një vend të pamendueshëm, një dorëshkrim mesjetar.

Një ilaç natyral 1000-vjeçar i përbërë nga qepa, hudhra, vera dhe kripëra trupore ka shfaqur potencial si antibiotik, për të trajtuar pacientët me infeksione në këmbë apo probleme në arterie si pasojë e diabetit. Studimi i ri u publikua të martën dhe në të thuhet se ky ilaç ka aftësinë që të sulmojë disa baktere që i rezistojnë antibiotikëve.

Receta e vjetër u gjet në një bllok lëkurë me përshkrime mjekimesh dhe kurash të shkruar në anglishten e vjetër dhe të ruajtur në Bibliotekën Britanike. Ai është një prej teksteve më të vjetër mjekësorë të njohur për njeriun.

Sipas kërkuesve, qepa dhe hudhra blihej lehtësisht në treg në atë kohë, vera e përdorur ishte e bardhë ndërsa kripërat tretëse trupore merreshin nga stomaku i lopëve.

Antibiotikët janë pjesë e rëndësishme e mjekësisë moderne dhe nëse humbin efektin e tyre, procedura si operacionet kirurgjikale dhe kimioterapia mund të bëhen tepër të rrezikshme.

Një prej gjetjeve kryesore të studimit është se përzierja e produkteve natyrale është më efikase se sa një i vetëm. Hapi i radhës i tyre tani është që të arrijnë ta shndërrojnë në përbërës kimik kurën dhe të nisin testimet te njerëzit./GazetaSinjali/