Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ditëve me temperatura të larta, duke ndjekur rekomandimet për mbrojtjen e shëndetit.
Në njoftimin e publikuar, IKSHPK këshillon qytetarët që të konsumojnë ujë në mënyrë të rregullt për të shmangur dehidratimin, si dhe të zgjedhin ushqime të lehta dhe të freskëta.
Po ashtu, instituti rekomandon shmangien e pijeve alkoolike dhe atyre me përmbajtje të lartë sheqeri, pasi ato mund të ndikojnë në humbjen e lëngjeve nga organizmi.
Qytetarëve u sugjerohet gjithashtu të veshin rroba të lehta, të qëndrojnë sa më shumë në ambiente të freskëta dhe ta freskojnë trupin rregullisht me ujë, veçanërisht gjatë orëve kur temperaturat arrijnë kulmin.
IKSHPK thekson se respektimi i këtyre masave mund të ndihmojë në parandalimin e problemeve shëndetësore të shkaktuara nga temperaturat e larta.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!