image IKShPK: 52 raste të konfirmuara me fruth në Kosovë, 5 raste të reja javën e fundit

Kosovë

IKShPK: 52 raste të konfirmuara me fruth në Kosovë, 5 raste të reja javën e fundit

news image

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka bërë të ditur se gjatë periudhës 16 prill – 6 korrik 2026 në vend janë regjistruar gjithsej 52 raste të konfirmuara me fruth.

Sipas të dhënave të IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë raportuar edhe pesë raste të reja të infeksionit.

Numri më i madh i rasteve është regjistruar në Prishtinë me 17 raste, pasuar nga Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 6 raste dhe Fushë-Kosova me 5 raste. Në Lipjan, Vushtrri, Shtime dhe Obiliq janë raportuar nga dy raste, ndërsa nga një rast është regjistruar në Gjilan, Drenas, Deçan dhe Viti.

IKShPK u ka bërë thirrje qytetarëve që të jenë vigjilentë ndaj simptomave të dyshimta si temperaturë e lartë, skuqje në lëkurë, kollë, rrufë dhe konjuktivit, dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në institucionet më të afërta shëndetësore.

“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa-vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/