image IHMK lëshon alarm portokalli: Kosovën e presin stuhi të fuqishme, breshër dhe erëra të forta

Kosovë

IHMK lëshon alarm portokalli: Kosovën e presin stuhi të fuqishme, breshër dhe erëra të forta

news image

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka lëshuar paralajmërim meteorologjik të nivelit portokalli për të gjithë territorin e Kosovës, duke njoftuar se gjatë ditës së nesërme priten kushte të paqëndrueshme atmosferike.

Sipas IHMK-së, vendi pritet të përfshihet nga stuhi të fuqishme me bubullima, reshje intensive shiu, breshër dhe erëra të forta me karakter stuhish.

Paralajmërimi do të jetë në fuqi nga ora 00:00 deri në 23:59 (GMT+2).

Instituti ka bërë të ditur se zhvillimet e fuqishme konvektive mund të paraqesin rrezik për qytetarët dhe infrastrukturën, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme si goditje rrufesh, dëmtime në rrjetin elektroenergjetik dhe ndërprerje të energjisë elektrike.

Po ashtu, mund të ketë pengesa në telekomunikacion, përmbytje të shpejta lokale në zonat me reshje të dendura, si dhe dëmtime në objekte, automjete dhe kultura bujqësore si pasojë e breshërit dhe erërave të forta.

IHMK ka paralajmëruar edhe për rritje të rrezikut për shpërthim të zjarreve për shkak të shkarkimeve atmosferike.

Qytetarëve u është bërë thirrje që gjatë stuhive të shmangin qëndrimin në ambiente të hapura, të mos strehohen nën pemë të vetmuara, pranë shtyllave elektrike apo objekteve metalike, si dhe të tregojnë kujdes të shtuar në komunikacion për shkak të rrugëve të rrëshqitshme dhe dukshmërisë së reduktuar.