image Ia vodhën fjalëkalimin e WiFi-së, fqinji i vret babë e bir

Botë

Pakistan/ Ia vodhën fjalëkalimin e WiFi-së, fqinji i vret babë e bir

news image

Policia e Pakistanit e ka arrestuar një burrë për vrasjen e dy personave që mes vete ishin babë e bir. Besohet se motivi i këtij krimi ishte vjedhja e fjalëkalimit të rrjetit të internetit, i njohur si WiFi.

Mbështetur në raportimet e medieve lokale, policia i ka nisur hetimet për këtë rast. Të afërmit e viktimave thanë se kanë qenë të kërcënuar me vdekje nga personi i dyshuar para se të ndodhte rasti. Merret vesh se fqinjët kishin pasur një varg grindjesh para dy muajve.

Personi i dyshuar, i identifikuar nga policia vetëm si Qasim, dyshohet se e ka kërcënuar me vdekje edhe djalin tjetër të viktimës më të vjetër. Pas këtij rasti, ai kishte ikur nga shtëpia. Megjithatë, policia e gjeti dhe e arrestoi atë në një vend tjetër dhe ai pranoi se i ka vrarë fqinjët.

Njëra viktimë, e identifikuar si Farooq, punonte në një fabrikë për përpunimin e metaleve, ndërsa djali i tij, i identifikuar si Haris, ishte student në Universitetin e Karachi-t.

Përdorimi i rrjetit WiFI pa lejen e pronarit nuk është vepër ilegale në Pakistan, por sipas një udhëzimi të prijësve fetarë, të miratuar në Dubai në vitin 2016, kjo vepër përbën shkelje fetare.

Sipas klerikëve, nuk lejohet që të përdoret diçka e huaj pa leje ose pa pagesë. Për këtë arsye, internet duhet të përdoret vetëm pasi të paguhet, shkruan “Independent”.