Një person është ndaluar nga Policia nën dyshimet për përfshirje në një rast të zjarrvënies në Prishtinë, ku ishte djegur një veturë dhe ishte dëmtuar një tjetër, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti kishte ndodhur më 6 qershor, rreth orës 02:30, në afërsi të objektit “Alko Group”, pranë rrugës C në Prishtinë.
Burimet bëjnë të ditur se në hyrje të parkingut të garazhit ishte djegur një veturë Audi, ndërsa nga zjarri ishte dëmtuar edhe një veturë Citroen, duke shkaktuar dëme materiale.
Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore, analizimit të video-incizimeve dhe sigurimit të provave materiale, hetuesit kanë arritur ta identifikojnë të dyshuarin A.Sh., i cili ishte vendosur në kërkim policor.
Më 27 qershor, i dyshuari është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” dhe më pas është shoqëruar në ambientet e Njësisë për Hetimin e Krimeve në Prishtinë.
I njëjti është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas përfundimit të intervistimit dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
Hetimet po vazhdojnë edhe në drejtim të identifikimit të personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë rast.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!