Mospagesa e shërbimeve përmes lajthitjes, largimit apo formave të tjera jo rrallëherë i ka futur në sherr kosovarët. Të tilla veprime janë të kundërligjshme dhe dënimi parashihet me gjobë e burgim. Kështu po dyshohet se ka vepruar një qytetar nga Prizreni, i cili qëndroi për disa ditë në një nga hotelet në Prishtinë dhe ia mbathi pa paguar, raporton Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali, rasti ka ndodhur vitin e kaluar në Hotel Diamond në magjistralen Prishtinë – Ferizaj dhe u denoncua tek tash nga një punonjës, i cili kërkoi ndihmën e Policisë.
Bazuar në informacionet që ka Sinjali nga burimet brenda Prokurorisë, menaxheri i hotelit ka raportuar në Polici se një klient i tyre kishte qëndruar për rreth një muaj në këtë hotel dhe ishte larguar pa kryer pagesën.
I dyshuari kishte lënë edhe gjësendet e tij personale në hotel, duke përfshirë mjetin identifikues, me qëllim që të zhdukej sa më lehtë pa paguar.
Për pasojë, nga hoteli fillimisht kanë tentuar që të merren vesh me të, që borxhi të shlyhet dhe një gjë e tillë ishte premtuar vazhdimisht nga i dyshuari, por nuk është realizuar për muaj të tërë – ndonëse kishte tentuar që të mashtrojë duke kryer pagesën të cilën më pas e ka anuluar.
Si rezultat, rasti u denoncua dhe Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, duke siguruar prezencën e të dyshuarit.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se i dyshuari është emër i njohur për organet e rendit, pas një vepër të tillë e kishte kryer edhe vite më parë.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vjedhje e shërbimeve”.
Ndryshe, sipas Kodit Penal, kushdo që me anë të lajthimit, largimit ose mënyrave tjera siguron shërbime për të cilat dihet se mundësohen vetëm në shkëmbim të kompensimit dhe shmang pagesën për shërbime të tilla, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në një vit.