Gazeta Sinjali sot raportoi për zgjerimin e hetimeve për rastin e rrëmbimit të 24-vjeçarit në lagjen Tasligje të Prishtinës, para dy ditësh. Hetimet rajonale kanë arritur të identifikojnë edhe të dyshuar të tjerë, të cilët bashkë me të dyshuarin Albin Hoxha gjenden në arrati. Të njëjtit dyshohet se kanë gisht në rrëmbimin e të riut, për të cilin nuk dihej fati i tij deri dje.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se viktima është liruar një ditë pasi u rrëmbye nga të dyshuarit. I njëjti, sipas këtyre burimeve është paraqitur dje në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij se çfarë ndodhi në ditën kritike. Në objektin e Policisë, ku ai shkoi për të njoftuar se është liruar, i është ofruar edhe tretman mjekësor.
Përveç zbulimit të të gjithë të dyshuarve të implikuar në rastin e 24-vjeçarit, Policia ka gjetur edhe veturën në të cilën u rrëmbye viktima.
Pas veprimeve të marra nga hetuesit policorë, vetura Golf 7 është lokalizuar në qytetin e Podujevës, ku më pas është konfiskuar me qëllim të ekzaminimit.
Lirimi i vajzave dhe identifikimi i të dyshuarve të tjerë
Sipas burimeve të Sinjalit dy vajzat e dyshuara, njëra 19 e tjetra 22-vjeç, të cilat kanë vënë në grackë të riun, duke e dorëzuar te rrëmbyesit do të hetohen në procedurë të rregullt nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Prokurori ka marrë vendim edhe për të dyshuarin e tretë, i cili u vetëdorëzua në Polici. Lion Gashi pasi u mbajt për 48 orë është liruar po ashtu dhe ndaj tij do të kryhen hetimet në procedurë të rregullt.
Derisa tre të dyshuar janë liruar, pas veprimeve hetimore janë zbuluar të dyshuar të tjerë.
Sinjali mëson se përveç të dyshuarit Albin Hoxha, i cili gjendet ende në arrati, janë identifikuar edhe tre persona të tjerë, që dyshohen për rrëmbimin e 24-vjeçarit në pikë të ditës.
Burimet e Sinjalit kanë njoftuar se të dyshuarit që u identifikuan gjatë hetimeve janë A.B., M.K., dhe A.K.,, të cilët gjenden në arrati.
Të gjithë të dyshuarit tashmë janë shpallur në kërkim policor dhe veprimet hetimore janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorin, që të njëjtit të kapen dhe të zbardhet e vërteta e rrëmbimit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.