Një rast i posedimit të paautorizuar të armës është raportuar më 29 maj 2025, në fshatin Lutogllavë të Pejës, por ndryshe nga shumica e rasteve, këtë herë vetë i dyshuari ka paraqitur vullnetarisht rastin në Polici.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se Albion Kuqi, 25 vjeçar ka njoftuar autoritetet se në shtëpinë e tij posedon një pushkë gjahu dytytëshe, kalibër 16 mm, e trashëguar nga gjyshi i tij, i ndjerë që nga viti 2018.
Në deklaratën e dhënë para hetuesve, Kuqi ka theksuar se jeton vetëm me një vëlla të mitur dhe ka vendosur ta dorëzojë armën për arsye sigurie.
Policia ka sekuestruar armën dhe një fishek të të njëjtit kalibër, ndërsa pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti është iniciuar dhe do të dërgohet në gjykatë me procedurë të rregullt për veprën penale “Mbajtje në pronësi dhe kontroll pa autorizim të armës”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!