Telashet mes anëtarëve të një familjeje vazhdojnë të jenë të pranishme në të gjitha qytetet e vendit. Për pasojë vëllezërit e kushërinjtë përfshihen në ngatërresa në mes vete të cilat eskalojnë në sharje, kërcënime, përleshje fizike e shpesh herë kanë përfunduar edhe tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.
Kështu ndodhi edhe në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në fshatin Nerodime të Ferizajt, ku dy persona dyshohet se kanë sulmuar brutalisht kushëririn e tyre.
Sinjali mëson se 27-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer gjithë ngjarjen.
Bazuar në dëshminë e tij, gjatë kohës që ishte duke shkuar në mal për të prerë dru, dy djemtë e xhaxhait të tij i kanë dalë në pritë dhe e kanë nxjerrë nga vetura ku më pas e kanë rrahur duke e goditur me grushte e shkopinj druri.
Si pasojë e dhunës që përjetoi, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore, ndërkohë që të dyshuarit janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh.