Amar Pushka nga Peja thotë se pankarta e tij “Liria jonë është e paplotë pa lirinë e Palestinës” u keqkuptua dhe se për lirinë e Kosovës do ta jepte jetën.
Njëri ndër liderët e preferuar të tij është Nelson Mandela. Prandaj Amar Pushka nga Peja shpesh e dëgjon dhe lexon thëniet e tij.
Të premten, kur ai shkoi nga Peja në Prishtinë për t’iu bashkangjitur marshit në solidarizim me Palestinën, mbante një pankartë për të cilën ishte frymëzuar pikërisht nga Mandela.
Në të shkruhet se liria jonë është e paplotë pa atë të Palestinës.
Pas publikimit të fotografisë ku Pushka mbante këtë shkrim, pati reagime të shumta në rrjetet sociale, kryesisht duke e akuzuar se po nënvlerëson lirinë e Kosovës, raporton T7.
Një ditë pas kësaj, 20-vjeçari sqarohet për krejt këtë. Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje tregon nëse mendon që liria e Kosovës është e paplotë pa atë të Palestinës.
“Ka pasur reagime të shumta që pankarta ka pasur lidhje me lirinë e Kosovës, por nuk ka aspak të bëjë me lirinë e Kosovës. Kosova është e lirë”, shprehet ai.
Ai gjithashtu shton se nëse liria e Kosovës ndonjë herë do të cenohej, ai do të ishte i gatshëm për të luftuar, ashtu siç bënë të afërmit e tij më 1999.
“Po të isha gjallë në atë vit, do të isha edhe unë në UÇK”, tha ai.
Pushka ka edhe një mesazh për fund për ata që reaguan në drejtim të tij.
“Më prekën komentet kur preket familja, por jam duke i injoruar”, u shpreh ai. /GazetaSinjali/