24 organizata të Shoqërisë Civile kanë reaguar ndaj deklaratave të patologut kosovar, Dr.Nazim Qehaja, i cili kishte arsyetuar dhunimet seksuale në Kosovë, duke thënë se ato ndodhin për shkak se një vajzë/grua vishet në një mënyrë që ai e konsideron të “pamoralshme dhe antikombëtare”.
Ky është reagimi i 24 Organizatave të Shoqërisë Civile
Nuk kanë kaluar as gjashtë ditë që kur patologu kosovar, Dr. Nazim Qehaja, shkaktoi skandal kur haptazi justifikoi dhunimet seksuale, të cilat, sipas tij, ndodhin për shkak se një vajzë/grua vishet në një mënyrë që për të konsiderohet e “pamoralshme dhe antikombëtare”.
Pas disa reagimeve në media sociale nga aktivistët e të drejtave të njeriut, të drejtave të grave dhe vajzave si dhe nga aktivistët e të drejtave të personave LGBT, Dr. Qehaja vazhdoi duke arsyetuar qëndrimet dhe bindjet e tij, se dhuna seksuale në disa raste është e arsyeshme, dhe se përdhunuesit nuk duhet të dënohen, as nuk duhet të përgjigjen para ligjit.
Duke u thirrur në “profesionalizmin” e tij prej mjeku, profesion ky që në parim ka trajtimin e barabartë dhe me dinjitet të të gjithëve pa dallim, Dr. Qehaja tha se “…jo vetëm në aspektin human, por edhe profesional, psikomjekësor, dhunuesit e femrave të këtilla, publikisht, skajshëm provokative, nuk duhet të përgjigjen para ligjit”, tutje, për ta arsyetuar këtë deklaratë, disa ditë më vonë ai shtoi se “…për komentimin tim profesional, duke trajtuar si objekt të mundshëm të dhunimit nga persona me çrregullime mentale, sepse vetëm këta dhunojnë, në veçanti kur janë të provokuar”. Kështu ai minimizoi problemin e dhunimeve seksuale, duke përgënjeshtruar se vetëm personat me “çrregullime mentale” dhunojnë. Për më tepër, edhe pas reagimeve të aktivistëve, i njejti u shpreh se një komb është në rrezik “Kur për moralin flasin laviret, kurvarët, homoseksualët dhe të tjerët me çrregullime të ngjashme psikosomatike!”.
Përmes kësaj letre, ne të poshtë shënuarit rikujtojmë Dr. Qehajën se në qoftë se dhunimi seksual do të ishte specifikë e personave me çregullime mendore, atëherë shteti ynë përmes ligjeve që janë të harmonizuara me ligjet e vendeve të zhvilluara demokratike, nuk do ta përkufizonte dhunimin seksual si vepër penale, të dënueshme me 2-10 vjet burgim, por si çrregullim të shëndetit mendor. Andaj, ky qëndrim dhe kjo bindje e tij është e pabazë dhe për më tepër e kundërligjshme.
Thirrja dhe arsyetimi i veprave të tilla kriminale, duke fajësuar veshjen “provokative”, është nxitje publike e urrejtjes, vepër kjo e cila sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë vjet.
Ne poashtu i rikujtojmë Dr. Qehajës, i cili pos të tjerash bëri edhe deklataratë skandaloze me përmbajtje jashtëzakonisht homofobike, se komuniteti i profesionistëve mjekësor ndërkombëtar që nga viti 1990, përmes Organizatës Botërore të Shëndetësisë ka vërtetuar se homoseksualiteti nuk karakterizohet si sëmundje, aq më pak si sëmundje psikosomatike siç e ka definuar ai.
Për mungëse të njohurive bazike dhe për nxitje të urrejtjes, në një vend demokratik, një personi si Nazim Qehaja do t’i revokohej diploma dhe do t’i ndalohej ushtrimi i detyrës së mjekut.
Ne kërkojmë nga Komisioni i Mjekëve që publikisht të distancohen nga gjuha e urrejtjes që Dr. Qehaja ka përdorur ndaj grave, vajzave dhe personave LGBT, si dhe ta dënojnë këtë gjuhë dhe mungesën e profesionalizmit mjekësor të tij.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton liri dhe siguri për çdo qytetar, pa marrë parasysh gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, kombin, racën ose fenë. Në bazë të ligjit, çdo person që përhap urrejtje dhe përçarje, duhet të marrë dënimin e merituar. Andaj, kërkojmë gjithashtu nga Prokuroria e Shtetit që urgjentisht të marrin masa ndaj Dr. Qehajës.