73-vjeçari nga Mitrovica, Bahtir Istrefi ka rrëfyer prapaskenat e një përplasje që ai pati me kryeministrin e dorëhequr të Kosovës, Ramush Haradinaj. ‘Përplasja’ në fjalë ndodhi gjatë një takimi të organizuar në Mitrovicë ditën e hënë.
Istrefi pyeti kryetarin e AAK-së se “pse nuk i kanë ndarë të paktën gjysmë miliardë euro për Trepçën, por për autostradën e Dukagjinit”. Ndërkohë, Haradinaj reagoi i acaruar duke i thënë se “është turp për të që të flasë ashtu”. Lidhur me këtë debat që ka pasur me Haradinajn, ai ka folur të martën. Ka thënë se i ka kërkuar kryeministrit në dorëheqje që të mos hidhërohet nga fjalët e tij.
“Unë u ndala dhe i thash ‘kryeministër, unë kërkova drejtësi. Të lutëm mos u mërzit. Ai as nuk më tha kështu as ashtu’ por dorën nuk ma dha”, deklaroi Bahtir Istrefi.
Të hënën, gjatë debatit të mbajtur në Mitrovicë, Istrefi i tha në sy Haradinajt se “është turp i madh të mos investohet në Trepçë.”
“A ma mirë u kanë qat miliardin për autostradën Dukagjin Pejë, me ia dhanë Trepçës. Nëse shitet edhe Trepça çka po na ngel neve. Dukagjini e Peja e kanë pas një asfalt, e Trepça sot në këtë gjendje, është një turp i madh. Po më duket se as Qeveria jote as ajo e mëparshmja nuk po ecin mirë”, i tha i moshuari, Haradinajt. Haradinaj ia ktheu ashpër të moshuarit nga Mitrovica. I tha që Deçani dhe i tërë Dukagjini ka bërë çmos që ta mbajë të bashkuar Mitrovicën.