image I mbijetuari i masakrës së Dubravës rrëfen përjetimet e tij

Drejtësi

Drejtësi/ I mbijetuari i masakrës së Dubravës rrëfen përjetimet e tij

news image

Reshat Nurboja  u burgos më 25 korrik të vitit 1998 si pjesëtar i Këshillit të Emergjencës në qytetin e  Pejës, ky këshill  ka pasur për detyrë të ndihmojë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesën tjetër të popullatës shqiptare në zona të luftës.

Pas arrestimit, Nurbojën e kishin dërguar në burgun e Pejës, pastaj në atë të Mitrovicës dhe pasi që e kishte marrë dënimin e plotfuqishëm ai ishtë dërguar për të vuajtur dënimin në burgun e Dubravës.

Në Dubravë, Nurboja thotë se e ka përjetuar masakrën më makabre ndaj njerëzve të pafajshëm.

I kontaktuar nga Gazeta Sinjali, Nurboja thotë se përjetimi i asaj masakre është përjetimi më i rëndë i mundshëm në jetën e njeriut.

“Kjo i ka të gjitha tiparet e gjenocidit, nëse Serbia mund të dënohet, akuzohet për një krim është Masakra e Dubravës, duhet të dënohen jo vetëm kryerësit por edhe urdhërdhënësi i këtij krimi që është shteti Serb” – thotë Nurboja për Gazetën Sinjali.

Nurboja kujton se gardianët serbë nuk kishin fijën e mëshirës, të burgosurit shqiptarë ishin të keqtrajtuar në të gjitha mënyrat.

Për Nurbojën një nga momentet më të rënda të qëndrimit në burg ishte ai kur serbët i detyronin të burgosurit të këndojnë këngë nacionaliste serbe.

Sipas Nurbojës, himni famëkeq, “Ko to kaze, ko to laze, Srbija je malа”, ishte kënga që gardianët kërkonin ta dëgjojnë nga të burgosurit shqiptarë.

Nurboja thotë se në çdo përvjetor të kësaj masakre ai ka ndjenja të përziera për përjetimin e tij dhe të shokëve të burgut.

“ Është një ndjenjë e mallëngjimit, ndjenjë e fajësisë simbolike . Ne të mbijetuarit e Masakrës së Dubravës kemi marrë masa në aspektin deklarativ dhe ende po vazhdojmë të akuzojmë kryerësit e këtij krimi, mirëpo në aspektin praktik edhe pse kanë qenë dy apo tri akuza institucionale e gjithë kjo ka mbetur në heshtje. Institucionet tona të drejtësisë kanë heshtur dhe nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret”

Ai shpreson që shteti i Kosovës të marrë masat e duhura për të vënë drejtësinë në vend, pasi që sipas Nurbojës të gjithë kryesit e masakrës dihen me emra dhe mbiemra.

Në masakrën e Dubravës nga forcat serbe janë vrarë 160 të burgosur shqiptarë dhe janë plagosur mbi 300 të tjerë. Nurboja u lirua në vitin 2000 nga burgu i Mitrovicës së Sremit në Serbi. GazetaSinjali