Një 25-vjeçar është arrestuar në Mitrovicën e Veriut, pasi dyshohet se ka dëmtuar dy automjete dhe ndaj tij ishte aktiv edhe një urdhërarrest gjykate për veprën penale “Kanosje”.
Sipas njoftimit të autoriteteve, i dyshuari me inicialet M.P. dyshohet se më 10 korrik kishte goditur me gurë dy automjete, duke shkaktuar dëmtime materiale. Pas lokalizimit të tij, ai është ndaluar nga zyrtarët policorë, pavarësisht se gjatë arrestimit dyshohet se ka tentuar të largohet.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit mbrojtës, 25-vjeçari ka pranuar përfshirjen në dëmtimin e automjeteve, ndërsa ndaj tij është aktivizuar procedura për rastet e tjera që janë në shqyrtim nga organet e drejtësisë.
Sipas të dhënave policore, i dyshuari figuron i përfshirë edhe në disa raste të tjera penale, përfshirë dyshime për vepra si vrasje, nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit, sulm ndaj personit zyrtar dhe posedim të paautorizuar të armëve.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rasteve ku dyshohet se është përfshirë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!