Dy autobusë me alpinistë dhe pelegrinë të cilët u nisën nga Serbia Qendrore mbrëmë për të vizituar komunitetet serbe në Kosovë, u kthyen mbrapsht herët këtë mëngjes nga pika kufitare e Jarinjes, transmeton Gazeta Sinjali.
Bazuar në dokumentin e lëshuar atyre këtë mëngjes në vendkalim, thuhet se është një “autobus me 83 pasagjerë”, dhe se arsyeja e kthimit ka të bëjë se nuk ishte paraqitur asnjë kërkesë për një vizitë të organizuar.
Një nga organizatorët, Marko Jeliq nga Shoqata e Pavarur e Studentëve nga Beogradi, në një deklaratë për KoSSev, megjithatë, thotë se ata tradicionalisht kanë organizuar këto vizita në manastire dhe monumente në Kosovë për vite me radhë dhe se ata ishin të njohur me procedurat nga kalimet e deritanishme
“Mbërritëm rreth orës 3 të natës së kaluar. Ata na thanë të presim. Rreth orës 8 të këtij mëngjesi, një oficer policie nga Policia e Kosovës erdhi atje dhe tha që na ishte refuzuar të hynim në territorin e Kosovës sepse nuk e kishim njoftuar mbërritjen tonë. Dhe pastaj ata na dhanë një copë letër ku shkruhej se ishim refuzuar dhe se kishim pesë minuta kohë për t’u kthyer në anën serbe, për të thënë kështu”, tha ai.
Ai deklaroi se deri më tani ata kurrë nuk i kanë njoftuar paraprakisht autoritetet për vizita dhe se kanë ardhur pothuajse në baza mujore.
Në dokumentet e lëshuara për ta, në emër të njërit prej organizatorëve – Dragan Kruplu, arsyeja është se “asnjë kërkesë nuk u paraqit për një vizitë të organizuar të autobusëve me 83 pasagjerë në Kosovë”, dhe se ata mund të paraqesin një ankesë brenda tetë ditësh në Drejtorinë e Shtetësisë, Azilit dhe Migracionit të Ministrisë së Brendshme të Kosovës. /Gazeta Sinjali/