I gjithë stafi mjekësor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Viti, kanë rezultuar negativ në testimet për koronavirus.
Këtë lajm e ka bërë të ditur drejtoresha e QKMF-së në këtë komunë, Vjollca Kadolli – Halili, shkruan Gazeta Sinjali.
“Të gjithë punëtorët e QKMF-së në Viti rezultojnë negativ dhe sot dalin nga vetizolimi. Sapo na lajmëroi IKSHP në Prishtinë. Në emër timin dhe të gjithë kolegëve të mi dua të falënderoj të gjithë ata që na kanë qëndruar pranë këto ditë, falënderoj institucionet komunale që kanë treguar kujdes të vazhdueshëm, IKSHP, IRSHP dhe MSH”, ka shkruar ajo në rrjetin social Facebook.
Kadolli – Halili më tej ka shkruar se edhe të vetizoluarit kanë treguar përgjegjësi të lartë.
“Gjithashtu, kolegët nga QKMF dhe gjithë Kosova. Falënderim i veçantë për të vetizoluarit që kanë treguar një seriozitet dhe përgjegjshmëri gjatë këtyre dyjavëve. Vazhdojmë me punë nga e hëna duke respektuar rekomandimet nga IKSHP dhe MSH. Ne do jemi aty për ju”, thotë ajo.
17 punëtorët e personelit shëndetësor të QKMF-së në Viti ishin vetizoluar tash e 14 ditë pasi kishin pasur kontakte me njërin nga të infektuarit e parë me koronavirus në Kosovë.
Në Kosovë aktualisht numri i të infektuarve ka shkruar në 88, është shënuar një viktimë, teksa zyrtarisht është raportuar edhe për një të shëruar./Gazeta Sinjali/