Një person është ndaluar për 48 orë në Prishtinë, pasi dyshohet se ka dëmtuar dhe humbur pajisjen e monitorimit elektronik, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, rasti ka ndodhur më 25 qershor, rreth orës 15:00, në rrugën “Nexhmi Llumnica” në Prishtinë.
Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari është paraqitur në Stacionin Policor Veriu, ku ka deklaruar se e kishte dëmtuar dhe humbur byzylykun elektronik.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, i dyshuari ka deklaruar se ishte në dijeni se urdhri mbrojtës me monitorim elektronik për një rast të dhunës në familje i ishte vazhduar edhe për tetë muaj.
Sipas informacioneve të siguruara, ai ka deklaruar se nëse i vendoset sërish pajisja e monitorimit, do ta largojë përsëri.
Pajisja e dëmtuar dyshohet se ka vlerë rreth 1 mijë e 500 euro.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me urdhër të të cilit rasti është cilësuar si “Mospërfillje e gjykatës” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
I dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!