Bashkëpunimi me prokurorinë duket se i ka dhënë dritë jeshile lirimit nga qelitë e paraburgimit 31- vjeçares Eni Qirjako, specialistes së IT-së së Tatimeve, të arrestuar pas skandalit të publikimit të pagave të mëse 630 mijë shqiptarëve. Me kërkesë të prokurorisë, gjykata caktoi ndaj saj masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”.
Ndërsa për tre të arrestuarit e tjerë, Andi Agarani, Klodian Sota e Endri Ikonomi, ndryshe nga kërkesa e prokurorisë për “arrest në burg”, u caktua masa e “arrestit në shtëpi”.
Gjatë seancës gjyqësore është relatuar se Qirkajo ka pranuar të ketë nxjerrë nga sistemi listë pagesat e 6 muajve, por sipas saj, e ka bërë me kërkesë të kolegut tjetër të arrestuar, specialistit të IT, Andi Agarai, pa ditur se do të shiteshin prej tij te palë të treta. Ky i fundit i ka thënë se i duheshin si të dhëna statistikore ndihmëse për llogari të një punimi diplome për studimet master. Më pas, pasi ka konstatuar publikimin e të dhënave të nxjerra prej saj, ajo ka vënë në dijeni eprorin, i cili po procedohet në gjendje të lirë. Njëkohësisht ajo ka refuzuar kërkesën e kolegut për të riformatuar kompjuterin e saj.
Ndihmë për hetimin ka dhënë edhe specialisti i IT-së, Agarai, i cili ka rrëfyer se ku i kishte shitur të dhënat për shuma nga 20-30 mijë lekë.
Ndërsa i arrestuari Endri Ikonomi, administrator i një shoqërie për dhënien e kredive të vogla ka mohuar akuzën e “korrupsionit” duke pohuar se i kishte blerë të dhënat te Klodian Sota, pa ditur se cili ishte burimi i tyre.
Njëkohësisht të arrestuarit kanë kërkuar deklarimin e paligjshëm të arrestimit të tyre, me pretendimin se kanë qenë në dispozicion të hetimit.