image I dënuar me rreth 4 vjet burgim, hajni i arratisur i grupit që kreu grabitjen në Prizren kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar

Ekskluzive

I dënuar me rreth 4 vjet burgim, hajni i arratisur i grupit që kreu grabitjen në Prizren kërkohet me urdhërarrest ndërkombëtar

news image

Njëri nga katër të dënuarit për grabitjen e armatosur më 12 qershor 2022, në marketin ‘Lanti-B’ në rrugën ‘Besim Shala’ në Prizren, akoma nuk ka rënë në duart e shtetit dhe po e shijon lirinë nga arratia. I riu Gzim Pulaj, i dënuar me rreth 4 vjet burgim, nuk ka respektuar asnjë nga thirrjet dhe urdhëresat e gjykatës dhe si rezultat ndaj tij është lëshuar urdhërarrest, letër rreshtim vendor dhe ndërkombëtar, raporton Gazeta Sinjali.

Pulaj dhe tre të akuzuarit e tjerë janë shpallur fajtor më 5 shtator të vitit 2022 nga Gjykata Themelore në Prizren, e cila e ka dënuar secilin për rastin e grabitjes, vepër kjo që e kanë kryer në bashkëkryerje dhe kanë arritur që të kapin qindra euro nga marketi.

Ky aktgjykim ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit me 10 shkurt të vitit 2023.

Lajmi është konfirmuar për Sinjalin edhe nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është bërë e ditur se Pulaj ishte dënuar me 3 vjet e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 2 mijë eurove, por i njëjti është arratisur.

“Të akuzuarin  G.P., për veprën penale Grabitje kryer në bashkëkryerje shqipton DËNIM ME BRUGIM në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj dhe DËNIM ME GJOBË në lartësi prej 2000 € (dy mijë euro).”

Sinjali ka mësuar se ndaj Pulajt ekziston edhe një urdhëresë aktive për një rast tjetër, për të cilin ishte dënuar me burgim.

Gzim Pulaj dhe tre të akuzuarit e tjerë Luan Bytyqi, Sefer Krasniqi dhe Drilon Saramati kanë qëndruar nën masën e paraburgimit prej 15 korrikut 2022, kur u kapën pas një muaji në arrati e deri më 05 shtator 2022.

Sinjali ka raportuar ekskluzivisht për këtë rast në korrik të atij viti, kur u zbulua se kush mori pjesë në grabotje dhe çfarë roli kishte secili prej tyre në ‘aksion’.  

Gjatë grabitjes, rolin e klientit i cili kishte hyrë paraprakisht në market për të vëzhguar situatën, ishte Luan Bytyqi. Në pamjet e publikuara atë kohë nga Sinjali, ai shihet duke kishte blerë një produkt që ndodhej tek arka dhe më pas largohet që aty, për të njoftuar shokët e tij se ‘terreni’ është i lirë dhe mund të kryhet grabitja.

Më pas, në market kishte hyrë i dyshuari kryesor i cili mbante armën në dorë, Sefer Krasniqi, i shoqëruar nga Drilon Saramati, që mori paratë nga arka. Ndërsa ‘roje’ kishte bërë jashtë Gzim Pulaj.

Saramati është dënuar po ashtu me burgim, “në kohëzgjatje prej 3 (tre) vjet e 6 (gjashtë) muaj, në të cilin dënim do të llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 15.07.2022 deri më datën 05.09.2022 dhe dënim unik me gjobë në lartësi prej 2,500 € (dy mijë euro).”

Dënim me burgim është shqiptuar edhe ndaj Krasniqit, i cili është dënuar me 3 vjet e gjashtë muaj burgim, “në të cilin dënim do të llogaritet koha e kaluar nën masën e paraburgimit prej datës 15.07.2022 deri më datën 05.09.2022 dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2000 € (dy mijë euro).”

Edhe ndaj Luan Bytyqit, për veprën penale “Grabitje”, të kryer në bashkëkryerje, Gjykata kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj dhe dënim me gjobë në lartësi prej 2000 €.

Përveç Pulajt, Sinjali merr vesh se edhe njëri nga tre të dënuarit e tjerë ka qenë në arrati deri vonë, por akoma nuk është konfirmuar nëse i njëjti është dërguar në burg.

Kujtojmë se Zyra për ekzekutimin e dënimeve pranë Gjykatës Themelore në Prizren, kishte iniciuar ekzekutimin e dënimit me burgim dhe si rezultat njëri nga të dënuarit ka filluar vuajtjen e dënimit me burgim më 9 maj 2023, ndërsa tjetri më 16 qershor 2023.

/GazetaSinjali/