image "I dehur, me babë t'vet ish konë..." - Flasin nga restoranti në Ferizaj për rastin ku u përfshi zyrtari policor

Siguri

“I dehur, me babë t’vet ish konë…” – Flasin nga restoranti në Ferizaj për rastin ku u përfshi zyrtari policor

news image

Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht se një zyrtar policor po dyshohet se është i përfshirë në një konflikt që ndodhi mbrëmë pas mesnatës në restorantin “Adriatiku” në Ferizaj. Polici po dyshohet se edhe e ka kanosur njërin nga kolegët e tij, teksa akoma s’dihen motivet e rastit.

Për incidentin në fjalë, Sinjali ka kontaktuar me pronarin e lokalit ku intervenoi Policia, i cili ka dhënë disa detaje.

“Ish konë polici aty…ishin konë pak me alkool, kanë ardhë aty…Na jemi konë në Polici, më pyetën, iu thash se s’di çka ka ndodhë. Kishin bo zhurmë…ish konë i pijavt, ish konë me babë t’vetin. Unë s’kom qenë aty..s’di çka kanë bo.. Me neve problem s’kanë pasë..”– tha ai shkurt, duke shtuar se në lokal nuk ka kamera të sigurisë që mund ta dëshmojnë se çfarë ka ndodhur.

Siç merr vesh Sinjali, pasi rasti u denoncua, njësitë policore zbarkuan në vendin e ngjarjes, ku ndodhej edhe zyrtari policor i dyshuar dhe dy persona të tjerë.

Sipas informacioneve të para, polici dyshohet se ka vringëlluar armën e madje edhe e ka kanosur njërin nga zyrtarët policorë që ndërhynë për ta vënë situatën nën kontroll.

Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast mes tjerash është kontrolluar vetura e zyrtarit policor, ku është gjetur arma zyrtare me karikator, si dhe rreth 20 fishekë që dyshohet se i mbante ilegalisht.

Lidhur me rastin, të njëjtat burime kanë bërë me dije se është vënë në dijeni Inspektorati Policor i Kosovës dhe Prokurori i Shtetit.

Gazeta Sinjali do të iu mbajë të informuar me detajet e reja.

/GazetaSinjali/