Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit për 30 ditë ndaj të pandehurit P.K. i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Lëndim i lehtë trupor”, raporton Gazeta Sinjali.
Kjo masë të dyshuarit do t’i llogaritet nga dita e arrestimit, 3 maj 2021 deri më 2 qershor të këtij viti.
Sipas gjykatës, P.K., dyshohet se mesnatën e 3 majit i ka shkaktuar lëndime trupore babit të tij, për shkak të mosmarrëveshjeve të vazhdueshme.
Atë natë, sipas aktakuzës, i dyshuari ka shkuar i dehur në shtëpi dhe kishte filluar ta ofendonte babin e tij, e më pas e kishte sulmuar duke e shtyrë me duar. Si pasojë, babai kishte rënë përtokë dhe kishte pësuar lëndime trupore.
“Gjyqtari i procedurës ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet për caktimin e paraburgimit, duke marrë parasysh se procedura penale është në fazën fillestare të hetimeve dhe në këtë çështje do të ndërmerren veprime të tjera hetimore për sqarimin e rrethanave të këtij rasti, si dhe duke marrë parasysh sjelljen e mëparshme të pandehurit i cili është i regjistruar edhe si i dyshuar për vepër penale të kësaj natyre dhe vepra tjera penale, andaj këto rrethana tregojnë rrezikun se nëse i pandehuri lihet në liri do të përsërisë ndonjë vepër tjetër penale të kësaj natyre”, thuhet në njoftimin e gjykatës./Gazeta Sinjali/