Në moshën 73-vjeçare ka vdekur politikani dhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha. Lajmin për vdekjen e tij e dha i biri i tij, Visar Berisha.
“Mas nje semundje te rande e kahemotshme, i mesuem mos m’u dorezu, sot baba pranoj burrnisht me iu dorezue Hyjit ne jeten e pasosun”, janë këto fjalët e para të Visar Berishës, në njoftimin për vdekjen e babait.
Emri i Kolë Berishës lidhet me procese të rëndësishme të politikës kosovare ndër vite.
Kush ishte Kolë Berisha, çfarë shkruan në biografinë e tij?
Kolë Berisha ishte politikan dhe kryetari i dytë i Parlamentit të Kosovës. U lind më 26 tetor 1947 në fshatin Dobërdol të Komunës së Klinës. Shkollën fillore e kreu në fshatin Ujmirë. Pas kryerjes së shkollës normale në Gjakovë, dy vjet punoi mësues në Ujmirë dhe Gllarevë të Klinës, kurse nga tetë marsi i vitit 1973 punoi si sekretar i gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. Ka të kryer edhe Fakultetin Juridik në Prishtinë.
Më 28 mars të vitit 1989, arrestohet dhe dërgohet në burgjet serbe në Leskovc, Beograd dhe në Pejë. Pas tre muajve lirohet, por përjashtohet nga puna.
Me themelimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berisha u anëtarësua dhe për dy mandate me rradhë ishte anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në Klinë dhe kryetar i Komisionit për Pajtimin e Familjeve të Hasmëruara. Më pas ishte edhe nënkryetar në LDK, derisa dha dorëheqje në vitin 2010, për siç kishte thënë, për shkaqe personale dhe për t’u hapur rrugë forcave të reja. Në karrierën e tij politike veçohet edhe puna e tij me ish-presidentin Ibrahim Rugova. Berisha ishte këshilltar i Rugovës.
Pas luftës shërbeu edhe si anëtar i Këshillit Transitor të Kosovës dhe anëtar i Forumit Politik të Kosovës të formuar nga PSSP Søren Jessen-Petersen. Ishte anëtar i Grupit Politik Strategjik për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës.
Po ashtu ishte deputet i disa legjislaturave të Kuvendit të Kosovës.
Kolë Berisha kishte shkruar edhe prozë e poezi.
Varrimi i tij do të bëhet gjatë ditës së nesërme, ndërsa të pame nuk do të ketë për shkak të situatës me pandeminë. /GazetaSinjali/