Marrëveshja për nxitje të investimeve e Korporatës Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), e nënshkruar në shtator mes kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, dhe kreut të DFC-së, Adam Boehler ka hyrë në fuqi. Për këtë ka bërë të ditur vet korporata, shkruan Gazeta Sinjali.
“Marrëveshja e re për nxitjen e investimeve e DFC-së ka hyrë në fuqi, duke i mundësuar DFC-së të vendosë gamën e saj të plotë të produkteve financiare në #Kosovë”, thuhet në njoftimin e korporatës.
Marrëveshja në fjalë është nënshkruar më 21 shtator 2020, në Prishtinë, si një prej instrumenteve për zbatimin e zotimeve të nënshkruara në Marrëveshjen e Washingtonit. Në ceremoninë e nënshkrimit, përveç Hotit dhe Boehlerit prezent ishte edhe emisari i atëhershëm amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Vetë marrëveshja e nënshkruar ishte promovuar si instrument për nxitjen e investimeve në projektet që ishin subjekt i marrëveshjes së Washingtonit – autostrada Prishtinë-Nish, hekurudha Kosovë-Serbi dhe qendra e skijimit në Brezovicë.
Në dokumentin e nënshkruar më 21 shtator 2020 nga Hoti dhe Boehler thuhej: “Marrëveshja e re Kosovë-SHBA për Nxitjen e Investimeve pritet që të ofrojë qasje në gamën e plotë të përkrahjes në investime, ofruar nga Korporata Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, ashtu si edhe t’i përcaktojë veprimet lidhur me mbështetjen e Korporatës për projektet në Kosovë dhe trajtimin prej Kosovës të tyre”. /Gazeta Sinjali/