image Hungaria drejt një përplasjeje të re politike, qeveria synon shkarkimin e presidentit

Botë

Hungaria drejt një përplasjeje të re politike, qeveria synon shkarkimin e presidentit

news image

Hungaria po përballet me një krizë të re politike, pasi kryeministri Péter Magyar ka paraqitur një amendament kushtetues që synon largimin nga detyra të presidentit Tamás Sulyok.

Magyar, i cili fitoi bindshëm zgjedhjet e prillit dhe i dha fund 16 viteve të qeverisjes së Viktor Orbánit, e ka cilësuar vazhdimisht presidentin Sulyok si “kukull të Orbánit” dhe ka premtuar shkarkimin e tij.

Amendamenti i paraqitur të shtunën parashikon që mandati i presidentit aktual të përfundojë një ditë pas hyrjes në fuqi të ndryshimeve kushtetuese. Duke qenë se partia qeverisëse Tisza gëzon shumicë të cilësuar në parlament, pritet që ndryshimet të miratohen, me votimin që mund të zhvillohet që javën e ardhshme.

Përveç presidentit, ndryshimet kushtetuese do të prekin edhe Gjykatën Kushtetuese, duke larguar katër gjyqtarë përmes vendosjes së moshës së pensionimit në 70 vjeç. Gjithashtu, parashikohet kufizimi i mandateve të deputetëve në maksimum 12 vjet.

Presidenti Tamás Sulyok ka deklaruar se nuk ka ndërmend të japë dorëheqje, duke e cilësuar nismën e qeverisë si një kërcënim për demokracinë dhe sundimin e ligjit, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Nga ana tjetër, partia opozitare Fidesz e Viktor Orbánit e ka quajtur shkarkimin e presidentit një hap drejt tiranisë dhe ka bërë thirrje për një protestë të enjten në mbështetje të Sulyokut.

“Partia Tisza po i kalon të gjithë kufijtë – njerëzorë, moralë dhe ligjorë. Votuesit hungarezë nuk kanë dhënë mandat për këtë”, deklaroi Orbán.

Opozita argumenton se Sulyok është zgjedhur në përputhje me Kushtetutën dhe se largimi i tij do të përbënte një ligj të personalizuar kundër një individi të caktuar.

Ndërkohë, një delegacion i Komisionit të Venecias, organ këshillimor i Këshillit të Evropës për çështjet kushtetuese, ka vizituar Hungarinë dhe ka zhvilluar takime me presidentin dhe zyrtarët qeveritarë, ndërsa gjetjet e tij ende nuk janë bërë publike.

Edhe Komisioni Evropian ka njoftuar se po monitoron nga afër procesin e ndryshimeve kushtetuese në Hungari.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/