Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Befort Lamallari, ka deklaruar se vendimi për shpalljen “non grata” të Ikballe Hudutit dhe ndalimin e hyrjes së saj në Shqipëri për 15 vite është marrë mbi bazën e dosjes dhe informacioneve të mbledhura nga institucionet ligjzbatuese dhe partnerët ndërkombëtarë.
Duke folur për Euronews, Lamallari tha se vendimi është rezultat i një procesi të vazhdueshëm të grumbullimit dhe analizimit të informacionit nga policia, antiterrori dhe shërbimet inteligjente, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për persona që mund të përbëjnë rrezik për sigurinë publike dhe kombëtare.
“Ne kemi vepruar duke akumuluar dhe përpunuar të gjithë informacionin që kemi disponuar më herët për këtë shtetase, si pjesë e punës së përditshme të agjencive ligjzbatuese dhe në bashkëpunim me partnerët. Mbledhim informacion për persona që mund të paraqesin kërcënim për sigurinë publike apo kombëtare dhe për interesin publik,” tha Lamallari.
Ai theksoi se në raste të tilla përdoren edhe mekanizma ligjorë dhe masa parandaluese, përfshirë vendime që kërkojnë autorizim gjyqësor kur ka dyshime për financim të terrorizmit apo nxitje të dhunës.
Ministri shtoi se Huduti mund të mbajë bindjet e saj, por nuk do të lejohet të hyjë në territorin shqiptar për 15 vite.
“Zonja le t’i mbajë bindjet e saj për vete, por nuk mund të shkelë për 15 vite në territorin e Republikës së Shqipërisë,” u shpreh ai.
Lamallari theksoi gjithashtu se liria fetare është e garantuar, por sipas tij ajo nuk duhet të keqpërdoret për të ndikuar apo nxitur të tjerët përmes thirrjeve publike që bien ndesh me vlerat dhe orientimin e shoqërisë shqiptare drejt integrimit evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!