Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka vendosur që të anulojë 4 mijë e 976 vota për partitë e komunitetit boshnjak në Zubin Potok, Shtërpcë, Ranillug, Graçanicë, Partesh, Kllokot e Novobërdë, Zveçan, Leposaviq dhe Mitrovicë të Veriut, shkruan Gazeta Sinjali.
Ky vendim i PZAP-së ia rrezikon ulësen e deputetes, Adrian Hoxhiqit, e në vend të saj deputete mund të bëhet kandidatja tjetër nga ky komunitet, Duda Balje.
Hoxhiq e ka quajtur vendimin e PZAP-së skandaloz dhe të ndikuar politikisht.
“Një vendim i tillë nuk ka ndodhur asnjëherë në histori, askund në botë. Ne do ta shfrytëzojmë mekanizmin që e kemi përpara, ankesën të Gjykata Supreme. Ne do t’i kemi argumentet me vete, sepse shpjegimet që ne i kemi marrë nga PZAP, nuk pinë ujë. Të gjitha shpjegimet janë të pa baza, vendimi është skandaloz, i bazuar politikisht dhe i padrejtë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, të gjitha votat në komunat me shumicë serbe ajo i ka marrë nga qytetarët që i kanë besuar.
“Kush më ka votuar mua në Prishtinë, kush më ka votu mua në Istog, Nga kush mori vota Vetëvendosja në Graçanicë. Ne kemi pasur raste edhe në zgjedhjet lokale edhe qendrore. Votat e mia janë diskutabile dhe jo të tyre. Ne duhet të ndryshojmë Ligjin për votime. Demokraci është fakti kur ju e keni përkrahjen nga të gjitha komunitetet. Unë e di që secilën votë që e kam marrë është nga çdo qytetar i thjeshtë që më ka besuar”, tha ajo në T7./Gazeta Sinjali/