image Hoxhaj: Në ditën kur në Serbi po zhvarrosen shqiptarët, në Hagë po gjykohen ushtarët e lirisë

Kosovë

Hoxhaj: Në ditën kur në Serbi po zhvarrosen shqiptarët, në Hagë po gjykohen ushtarët e lirisë

news image

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar gjatë kohës sa po mbahej konferenca statusore për çështjen e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë, shkruan Gazeta Sinjali.

“Tentim për rishkruarjen e historisë” e ka quajtur Hoxhaj këtë proces, teksa ka shtuar se në Hagë po tentohet të njolloset lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Procesi gjyqësor kundër presidentit Thaçi, kryetarit Veseli, ish-kryeparlamentarit Krasniqi, deputetit Selimi, si dhe bashkëluftëtarëve të tyre, është një tentim për rishkruarjen e historisë përmes një procesi të pa precedent në historinë e drejtësisë ndërkombëtare. Në Hagë po tentohet të rishkruhet historia e Kosovës, të rinegociohet liria e jonë dhe të njolloset lufta e drejtë e UÇK-së”, ka shkruar Hoxhaj në Facebook.

Më tej, Hoxhaj ka thënë se është e padrejtë që në ditën kur në Serbi po zhvarrosen eshtrat e shqiptarëve, në Hagë po gjykohen ushtarët e lirisë.

“Në ditën kur në Serbi po zhvarrosen eshtrat e shqiptarëve, viktimave të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, në Hagë po gjykohen ushtarët e lirisë së ndërmarrjes së përbashkët çlirimtare! Në ditën kur katër metra nën tokë po shfaqen përmasat e gjenocidit serb, në Hagë po gjykohen luftëtarët e lirisë”, ka thënë Hoxhaj.

Në fund, kryetari në detyrë i PDK-së ka shkruar se lufta e popullit të Kosovës nuk mund të ndërrohet, sepse mban vulën e NATO-s dhe Tony Blairit.

“Lufta e popullit të Kosovës për liri nuk mund të ndryshohet. Nuk mund të gjykohet. Nuk mund të dënohet!Lufta e popullit të Kosovës nuk mund të ndërrohet, sepse mban vulën e NATO-s, Tony Blairit, Bill Clintonit dhe botës perëndimore e demokratike. Presidenti Thaçi, kryetari Veseli dhe bashkëluftëtarët e tyre janë përfaqësues të kësaj lufte, të kësaj lirie dhe kësaj pavarësie, që janë të shenjta dhe nuk mund të ndërrohen nga askush”, ka përfunduar Hoxhaj./Gazeta Sinjali/