Zëvendëskryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, po i sheh koalicionet parazgjedhore të partive të tjera si frikë nga PDK-ja. Ai në një intervistë ka thënë se subjekti politik ku ai bënë pjesë nuk do të bëjë koalicion me partitë parlamentare
Hoxhaj ka thënë se partia e tij është e para sipas sondazheve të tyre dhe se “koalicionet parazgjedhore janë formuar për shkak të frikës ndaj PDK-së”.
“Koalicionet parazgjedhore kanë konfirmuar vetëm një gjë. Se të gjithë kanë frikë nga Partia Demokratike e Kosovës. Ne jemi partia më e madhe në vend sipas sondazheve tona, por dhe sipas organizimit politik… Në këto zgjedhje shkojmë me logon e PDK-së, sloganin e PDK-së si subjekti më i madh politik, por janë të mirëseardhura dhe partitë e vogla të tjera jo parlamentare”, ka thënë Hoxhaj për KP.
Tutje Hoxhaj ka thënë se PDK-ja hyn në këto zgjedhje me synimin e luftimit të korrupsionit dhe se “qasja jonë ka qenë çdo herë që PDK-ja duhet ta ndryshojë atë që është patjetër e domosdoshme të ndryshohet”.
“Fenomeni i korrupsionit është diçka që reflektohet në vullnetin e kryetarit që ky fenomen të luftohet brendapërbrenda jetës politike në Kosovë. Por, të njëjtën kohë, ne do të ruajmë atë që duhet të ruhet brenda një partie politike. Vazhdimësia dhe ndryshimi është pjesë e filozofisë sonë politike. Natyrisht që do të ketë emra të ri në listë të PDK-së, do të ketë njerëz që përfaqësojnë vlera morale, patriotike, profesionale dhe qytetare… Duhet të pritni çfarë liste të plotë të mirëfilltë dhe komplete do të ketë PDK-ja. Lista, natyrisht, është një listë që hartohet prej kandidatit për kryeministër, i cili lufton dhe është në betejë për të marrë mandatin e qytetarëve për të udhëhequr Qeverinë. Hyrja dhe mos hyrja e njerëzve në listë është punë e vullnetit individual. Prandaj, unë nuk mund të paragjykoj kush mund të hyjë ose mos të hyjë në listë, se është një lloj kombinimi i vullnetit të kryetarit edhe vullnetit individual të një kandidati që mund të jetë deputet i Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Hoxhaj ka thënë se PDK ka prioritet zhvillimin ekonomik dhe se kjo ka thënë se varet prej sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit. Ka thënë se prioritet të dytë e kanë arsimin dhe shëndetësinë.
“Prioritet i parë i vendit është zhvillimi ekonomik dhe zhvillimi ekonomik varet prej sundimit të ligjit edhe prej luftimit të korrupsionit si fenomen. Prioritet i dytë do të jetë arsimi dhe shëndetësia. Meqenëse Kosova është një shtet i vogël dhe nevojat e qytetarëve për shtete të tilla janë të mëdha për këta sektor. Prioritet i tretë do të jetë cilësia në jetë që përfshin fusha të ndryshme të jetës. Por vëmendja kryesore do të jetë rreth zhvillimit ekonomik, punësimit, arsimit, shëndetësisë, sigurisë, jo vetëm sigurisë së sovranitetit të Kosovës që është prioritet i dorës së parë, po deri te siguria kibernetike apo në ushqim”, ka shtuar Hoxhaj.