Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, tha se fjalët e kryeministrit Avdullah Hoti në “Facebook” për rolin e koordinatorit shtetëror Skender Hyseni dhe shkuarjen e tij vetëm në takim me Miroslav Lajçak dhe Marko Gjuriq, janë joserioze.
“Dua sqarim këtu nga kryeministri Hoti, të na sqarojë për fjalët e tij para takimit të koordinatorit, kur tha se qëllimi i takimit është draftimi final i marrëveshjes me Serbinë dhe shkon një njeri, Skender Hyseni, të cilin e respektoj, nuk ma merr mendja që është çështje serioze, s’po du me përdor ndonjë fjalë të rëndë, sepse është kryeministri i të gjithë neve, por qasja është joserioze”, iu drejtua Hoxhaj-Hoti në Kuvend.
Hoxhaj më tutje kujtoi se një ditë pas takimit në Bruksel, gazeta gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, ka shkruar se qëllimi i dialogut nuk është njohja reciproke, por anëtarësimi i Kosovës në OKB.
“Ne nuk mund të hyjmë me një proces ku një ditë pas takimit, gazeta gjermane FAZ, ka shkruar se qëllimi i dialogut nuk është njohja reciproke por anëtarësimi i Kosovës në OKB, unë nuk e di cili është qëndrimi i Kosovës në raport me taksën e reciprocitetin, çka fituam si kundërshpërblim sot”, tha Hoxhaj./ Gazeta Sinjali/