Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, ka deklaruar se vendi synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade, duke theksuar përkushtimin e qeverisë ndaj procesit të integrimit evropian.
Deklarata u bë gjatë një takimi në Tiranë me një delegacion të Komisionit për Çështjet Evropiane të Asamblesë Kombëtare të Francës, të udhëhequr nga Pierre-Alexandre Anglade, ku u diskutua mbi zgjerimin e BE-së, ecurinë e reformave dhe rëndësinë e një procesi të besueshëm për vendet kandidate.
Hoxha ritheksoi se Shqipëria po vijon me zbatimin e reformave dhe synon përshpejtimin e rrugës drejt anëtarësimit, duke u bazuar në rezultate konkrete dhe një plan të qartë veprimi.
“Me një plan të qartë, rezultate konkrete dhe ambicien për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade, Shqipëria është e vendosur të shfrytëzojë këtë dritare historike mundësie”, u shpreh ai.
Ai gjithashtu vlerësoi mbështetjen e Francës në procesin e zgjerimit të BE-së, duke e cilësuar bashkëpunimin parlamentar dhe diplomatik si të rëndësishëm për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!